Pika e kalimit kufitar të Kapshticës sërish ka rregjistruar radhë dhe vonesa për emigrantët shqiptarë, të cilët pasi kanë kaluar pushimet në vend, i rikthehen vendeve të tyre të punës në shtetin grek.
Për orë të tëra ata janë lënë në pritje pasi pala greke, pavarësisht fluksit, vijon punën me ritme të ngadalta dhe numër të reduktuar sportelesh. Pavarësisht temperaturave të larta, gra, fëmijë dhe të moshuar kanë qëndruar në pritje për të kaluar kufirin. Situata aspak normale sipas tyre përsëritet çdo herë që ata largohen pasi kanë kaluar disa ditë pranë familjeve të tyre.
Pika e kalimit kufitar të Kapshticës është një prej pikave me numër më të lartë lëvizjesh, ku vetëm në 24 orët e fundit pala jonë në dispozicion të emigrantëve dhe qytetarëve që lënë Shqipërinë ka vendosur 6 sportele në dalje, ndërsa ajo greke ka punuar me vetëm 2 të tilla.