Kryetari Partisë Demokratike Lulzim Basha, në përmbyllje të fushatës elektorale në Kavajë, ka premtuar ulje të çmimit të dritave, naftës dhe taksave në rast se kandidatët e koalicionit të djathtë do të dalin fitues në votimet e datës 21 qershor, pasi vota për të djathtën është votë kundër varfërisë.
Sipas Bashës, të gjithë shqiptarët e kanë parë dhe e kanë kuptuar se premtimet e dyshes Rama-Meta ishin dhe vijojnë të jenë një mashtrim. “Kohë të rënda kanë pllakosur Kavajën, Rrogozhinën dhe të gjithë shqiptarët”, tha Basha.
Sipas tij, “më e vështirë është bërë veçanërisht për të papunët, të cilët s’kanë shanse të gjejnë punë apo të përfitojnë nga ndihma ekonomike. Taksat janë dyfishuar për bizneset, që po shkojnë drejt falimentimit. E vështirë është jeta edhe për të punësuarit, që ditë për ditë zgjohen me frikën se mos i heqin nga puna nga kriza apo përkatësia politike. Nuk ka punë, nënvizoi Basha, nuk ka lekë, nuk ka shpresë, është refreni që dëgjon në të katër cepat e Shqipërisë. Pse ka ndodhur kjo? Pse shqiptarët i janë drejtuar kurbetit?, pyeti Basha, i cili rreshtoi disa nga arsyet që sipas tij, kanë çuar në këtë situatë.
“Çmimi naftës më i lartë, energjia më e shtrejntë, pasi Rama dhe Meta janë piramida më e madhe e mashtrimit të shqiptarëve. Premtuan ulje taksash, por i rritën ato. Premtuan ulje të çmimit të dritave, por çmimi i energjisë u rrit edhe pse dyshja Rama-Meta nuk e pranon, por të gjithë e dinë, që opozita po thotë të vërtetën. Ne jemi zgjidhja e problemeve tuaja. Ne do ju ulim çmimet e taksave, do ju ulim çmimin e energjisë elektrike deri në 25%. Falja e kamatëvonesave është premtimi më i madh dhe ju këtë do e ktheni në ligj, duke votuar Partinë Demokratike, duke votuar kandidatët Eqerem Deliun për Rrogozhinë dhe Ëngjëll Cara për Kavajën”, përfundoi Basha