Gjatë gjithë natës e kanë gdhirë pranë kënetës së fshatit për të mësuar ndonjë gjë të re mbi fatin e dy adoleshentëve Tahirllari të zhdukur prej paradites së djeshme. Rei dhe Berti, kushërinj me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë hequr rrobat dhe janë zhytur në kënetë për t’u larë. Askush nuk i pa me sy ndërsa në lëndinë ndodhen rrobat që kanë zhveshur nga trupi. Fshati doli në ndihmë të familjarëve, drama e të cilëve nuk ka fund. Nga dje pasdite që ata denoncuan zhdukjen e djemve, sipas familjarëve, shteti nuk ka hedhur asnjë hap për gjetjen e tyre.
Asnjë polumbar nuk po kërkon trupat, ndërsa nuk lejohet nga policia as përdorimi i një motorpompe për thithjen e ujit. Policia sipas familjarëve është bërë gardh tek buza e kënetës dhe pret mbërritjen e polumbarëve nga Vlora.
APELI I NJE BABAI TE DESHPERUAR
Kujtim Tahirllari, babai i një prej adoleshentëve të zhdukur, me lot në sy bën apel në News24, që shteti të ndërhyjë me polumbarë për gjetjen e djemve të humbur.
“Asnjë polumbar nuk ka ardhur fare. Të kishte humbur ndonjë çupë në treg do kishin ardhur me vrap. Ne na thanë mbrëmë se nuk hyjnë dot polumbarët se është natë. Nesër që në mëngjes me të zbardhur dita polumbarët do jenë këtu. Ne prit ata, prit polumbarët hic. Tani na thonë se polumbarët kanë qenë në Vlorë, ja pritini sa të vijnë”, thote Kujtimi ne nje lidhje telefonike.
I dëshpëruar ai tregon se, policia as nuk lejon t’i afrohen vendit të ngjarjes. Babai druan se do e coje ne veprime ekstreme kjo vonese e autoriteteve per te vepruar.
“Policia nuk na le të kërkojmë ne. Kanë bërë një gardh ata dhe nuk na lejojnë të kërkojmë ne. Nuk është ndonjë sipërfaqe e madhe, 9 dynym vend është kjo kënetë. Tërë fshati ka vendosur të venë në punë motorpompën që të shohim cfarë do gjejmë. Policia tani, të kërkojmë ne nuk na le, të vemë motropompën nuk na le ta vemë në punë, të bëhem kamikaz tani, kaq më mbeti. Djali më dergjet aty. Rrofshin mediat se të presim prej këtyre, asnjë gjë nuk bëjnë. Shyqyr jeni ju që na ndihmoni”.
Mësohet se djemtë janë futur për tu larë në rezervuarin e fshatit Qatrom të Korçës, pasditen e djeshme, por askush nuk i ka parë të dalin prej andej.
“Kërkojmë të nisin menjëherë kërkimet”, thonë familjarët e alarmuar.
Rrobat dhe këpucët e dy të rinjve, të lëna pranë vendit të quajtur “Gropa e Danielit”, kanë përforcuar dyshimet se të rinjtë kanë humbur jetën në kënetë.
Policia e Korçës ka nisur menjëherë kërkimet për dy djemtë, ndërsa po ndihmohet edhe nga banorë të zonës, të cilët kanë dalë në kërkim të 17-vjeçarëve.
DESHMIA E SHOKUT
I pari që vuri re rrobat e dy kushërinjve buzë kënetës ishte shoku i tyre Nikolin Nasto, i cili rrëfen për “News24” se kishte shkuar për të parë grepat që kishte hedhur për peshkim në kënetë.
“Kisha vënë grepat për peshkim dhe erdha ti shikoja. Pashë rrobat dhe mendova se qenë trembur e fshehur. I kërkuam djemtë në fshat por nuk i gjetëm.”- deklaroi Nasto.
NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 19.08.2016, jemi njoftuar nga një telefonatë, se në fshatin Qatrom, shtetasit R.Tahirllari dhe B.Tahirllari (kushërinj) të dy rreth moshës 17 vjeç, janë larguar nga banesat respektive, mëngjesin e ditës së sotme dhe familjarët e tyre nuk kanë informacion për ta, se ku mund të ndodhen.
Nga të dhënat paraprake, u krijuan dyshime se këta shtetas, mund të jenë mbytur në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”, në fshatin Qatrom.
Menjëherë u njoftuan shërbimet e Policisë, për të shkuar në vendin e ngjarjes, për të bërë krehjen e zonës dhe për të kryer kërkimet përkatëse.
Nga ana e grupit hetimor, po punohet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.