Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Turizmin në Partinë Demokratike doli në një deklaratë për mediat këtë të shtunë ku ngriti problemet e turizmit gjatë këtij sezoni në vend.
“Meqë sezoni është drejt mbylljes, le te reflektojmë 1 minutë për turizmin qe patëm sivjet. Në kulmin e sezonit turistik shqiptarët dhe turistët u përballen me çështje bazike që i kishim harruar prej vitesh si rreziku i sigurisë së jetës, ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesat e ujit, etj”, tha Malltezi.
Ai ngriti disa nga problemet më kryesore të shfaqura gjatë këtij sezoni. “Këtë vit pati me dhjetëra bjerrje të standardeve në turizëm, si psh: Vdekje e turistëve të huaj në tokë dhe në det si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë. Rendi publik degjeneroi me shpejtësi dhe grabitjet me armë nuk kursyen as aeroportin e vetëm, nga ku mbërrijnë shumë turistë. Gjithë bregdeti vuajti mungesën e dritave edhe në kulmin e turizmit. 0 km rrugë të reja në zonat turistike. 0 km për Rrugën e Arbrit, Rrugën e Elbasanit & segmentet e fundit të Rrugës së Kombit. 0 impiante të reja për trajtimin e ujërave të ndotura në zonat bregdetare dhe mosfunksionim i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura të Durrësit, Sarandës dhe Vlorës, për të cilët qeveria e PD shpenzoi dhjetëra miliona euro. (Shihni për shembull varrezat e Durrësit se si kutërbojnë ujërat e ndotura ndërsa impianti u inagurua në 2013)”.
Malltezi shtoi se Agjencia Evropiane e Mjedisit njoftoi se cilësia e ujërave bregdetare shqiptare degjeneroi gjatë 3 viteve të fundit dhe rekomandoi të mos frekuentohen plazhet tona raporton tch.
“Edhe pse i gjeti të gatshme disa landfille për mbetjet urbane sipas standardeve, qeverisja e sotme nuk është e aftë as të transportoje mbetjet, dhe plehrat po mbysin qytetet nga Laçi deri ne Himare. Kafshe të ngordhura mbeten dite të tëra nëpër plazhet e Golemit, Hamallajt, etj. Derdhje nafte dhe mbetje mazuti në Durrës, Vlorë dhe Dhërmi ndërsa qeveria fshihet si struci dhe as nuk njofton qytetarët dhe as nuk shpall gjendje te emergjencës civile. Uji i pijshëm për qeverinë konsiderohet luks ndaj nuk jep asnjë zgjidhje. Kullat e vrojtimit u kthyen në ndotje pasi hekurishtet u korroduan dhe nuk kanë asnjë roje, gjë që është rrezik i shtuar për pushuesit që mund të gënjehen nga fasada. Bregdeti i Vlorës u kthye ne Llucomare ndërsa injoranca dhe vjedhjet me fasadën e Lungomares e kthyen atë në stresin më të madh të jetës për turistet dhe Vlonjatët”, tha ai.
Malltezi theksoi se qeveria ka braktisur me kohë detyrën, ndërsa tha se janë rikthyer probleme të harruara prej 10 vjetësh.
“Qytetarët në kulmin e sezonit turistik bëjmë pyetjet që i kishim harruar prej 10 vitesh si; “A ka drita? Po ujë? Po siguri?” Për Partinë Demokratike dhe Shqiptarët këto bjerrje të standardeve janë të papranueshme”, tha Malltezi.
Të refuzojmë qeverisjen e papërgjegjshme, tha ai dhe “të bashkohemi për të rikthyer sigurinë e jetës dhe të pronës. Përmirësuar punësimin duke ulur taksat për turizmin. Përmirësuar mjedisin dhe zhvilluar turizmin”.