Po – ndalimi i perçes është politikë simbolike. Po – ndalimi perçes nuk pengon sulmet terroriste. Po – ndalimi i perçes është për një shtet ligjor liberal një shenjë e mosliberalzimi, dhe marrja me një çështje të tillë si ndalimi i perçes.
Po – në Gjermani nuk ka shumë gra që mbajnë perçe – pra çfarë do të thotë kjo? Dhe po – kjo nuk u pëlqen shumë vetëve, por jo të gjitha ato që nuk u pëqejnë shumë vetëve, duhet të ndalohen. Në këtë pikë Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere ka të drejtë.
E megjithatë ndalimi i perçeve, apo burkave, ka kuptim – dhe është edhe politikisht i dobishëm. Ai tregon se shoqëria e hapur nuk pranon gjithçka. Ai tregon se shteti liberal ku sundon ligji u kundërvihet me vendosmëri armiqve të liberalizmit.
Ai tregon se e klasifikon si duhet simbolin e burkës. Burka nuk është një shenjë fetare apo e një religjioziteti real, sepse përndryshe atë do ta mbanin edhe të gjitha gratë në Marok apo në Pakistan. Por ato nuk e mbajnë, edhe pse marokanët janë po aq fetarë sa dhe libianët, egjiptianët, iranianët apo pakistanezët.
Jo, burka është simbol i një islamizimi fundamentalist të drejtimit vahabist. Perçja apo burka është shenjë e islamizimit fundamentalist– në radhët e IS-it, të talibanëve, në Arabinë Sauditee gjetkë. Burka nuk është shenjë e një feje popullore dhe e zbatimit të saj në jetën e përditshme.
Sa larg mund të shkojë toleranca?
Dikush mund të argumentojë megjithatë se në një vend indiferent sa i përket fesë si Republika Federale Gjermane liria e fesë vlen për të gjitha besimet. Por sa larg mund të shkojë toleranca? A duhet të jetë pjesë e tolerancës edhe prerja e organeve gjenitale të vajzave të reja në vendet islamike? Sundimi i burrit mbi gruan? E drejta joekzistuese e grave për vetëvendosje? A duhet t’i pranojm të gjitha këto se duam të jemi tolerantë ndaj besimit?
Burka e burgos femrën. Qëllimi i saj është t’i heqë gruas të drejtën për vetëvendosje dhe një vend të ndërgjegjshëm në shoqëri. Ajo bie ndesh me dinjitetin e njeriut dhe idenë e barazisë. Prandaj shoqëria duhet të shtrojë pyetjen se sa e hapur duhet të jetë për të pranuar format radikale të islamizimit?
Sa larg duhet të shkojë toleranca fetare? Grindja për ndalimin e perçeve është politikisht mjaft e mprehtë. Pyetja që shtrohet është se ç’qëndrim të mbajmë ndaj armiqve të shoqërisë së hapur?
Për shoqërinë liberale është e nevojshme dhe e dobishme që të heqë një vijë të qartë ndarëse. Kjo do të thotë që në Gjermani duhet të ndalohen perçet e burkat. Sikurse dhe poligamia, martesa e të miturve, gjymtimi i organeve gjentitale – në emër të fesë. Kjo do të thotë që politikisht duhet thënë jo. Me pjesën tjetër le të merren avokatët dhe juristët./DW/a.m.