Pak e stisur kjo, por le t’u besojme kolegeve kosovare. Cili ishte ushqimi që preferonin Ilirët dhe si e gatuanin ushqimin paraardhësit tanë. Këtyre pyetjeve mëton t’i jap përgjigje edicioni i 6-të i festivalit tradicional, Etno Fest, që do të mbahet prej 7- 11 shtator në fshatin Kukaj.
Organizatori Fadil Hysaj në prag të fillimit të këtij festivali ka shpalosur këtë detaj nga përmbajtja e programit që është risi dhe e veçantë e edicionit të sivjetmë, transmeton KultPlus Ai ka shtuar se programi do të përfshijë prezantimin e kulinarisë (artit të gatimit) antike.
“Risi është se kemi një program të veçantë të kulinarisë shqiptare, me pak program special të kulinarisë ilire. Është hera e parë që njerëzit do të shijojnë se si janë përgatitur ushqimet në kohën e Ilirisë në të gjitha zonat dhe fiset ilire”
Prezantimin e kulinarisë antike do ta bëjë njohësi i mirë i artit kulinar nga Shqipëria, Ahmer Dorsun. Qëllimi i këtij demonstrimi është që të kultivohen këto njohuri kulinare të trashëguara ndër shekuj.
Kulinaria ilire veçanërisht ajo e qytetit të Beratit kishte tërhequr vëmendjen e Ahmet Dursun, i cili, pas disa vitesh punë kërkimore ka përgatitur edhe dokumentarin e cili tregon pjesë nga tradita e të ushqyerit të ilirëve.
”Kemi një trashëgimi shumë të lakmueshme dhe nuk kemi përse të mendojmë se çfarë ka hyrë në Shqipëri është e të tjerëve. Madje në këtë sipërfaqe kaq të ngushtë sa kemi, mendoj se është një pasuri jashtëzakonisht e madhe. Mendoj se ashtu sikurse shumë pasuri që kanë ikur nga Shqipëria, duhet të përpunohen dhe të futen në tregun shqiptar dhe pse jo edhe në tregun matanë Shqipërisë” kishte thënë Ahmet Dursun me rastin e prezantimit të dokumentarit.
Dursun ka paralajmëruar se do të hulumtojë edhe traditat e kulinarisë së Gjirokastrës, Butrintit dhe Vushtrrisë në Kosovë. Etno Fest ka publikuar edhe shenjën e re identifikuese të festivalit si dhe posterin për edicionin e sivjetmë.
Festivali i Arteve dhe kulturës tradicionale Etno Fest është themeluar me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të mirëfillta të artit dhe të kulturës tradicionale shqiptare por edhe ato moderne që lidhen me traditën, përgatiti Koha. (b.an)