Policia në Turqi ka vazhduar të merret me qytetarët që i fajëson se e kanë përkrahur grusht shtetin e dështuar gjatë muajit të kaluar.
Forcat e sigurisë në Stamboll më 18 gusht kanë bastisur më shumë se 100 lokacione në orët e para të mëngjesit duke paraburgosur një grup njerëzish ndonëse numri i saktë nuk është bërë i ditur.
Prokurorët kanë lëshuar urdhër për arrestimin e 187 personave, kryesisht nga sektori i biznesit dhe ai financiar që akuzohen se e financojnë klerikun Fetullah Gylen të cilin Ankaraja e akuzon se e ka organizuar puçin.
Gylen që jeton në SHBA ne ekzil të vetshpallur, e ka hedhur poshtë përfshirjen në grusht shtetin e 15 korrikut që mori jetën e 240 personave, përfshirë edhe 100 përkrahës të grusht shtetit.
Kryeministri turk, Binali Yildirim, ka thënë mbrëmë se mbi 40 mijë njerëz janë paraburgosur në lidhje me hetimet që po zhvillohen, ndërsa rreth gjysma e tyre janë arrestuar formalisht.
Mbi 4200 kompani dhe institucione që dyshohet se kanë lidhje me Gylenin janë mbyllur, ka shtuar më tej ai. Rreth 80 mijë persona janë larguar nga postet shtetërore, kryesisht në ushtri, polici, organet e drejtësisë dhe shërbim civil.
Gjithashtu më 17 gusht, autoritetet kanë njoftuar se kanë vendosur të lirojnë rreth 38 mijë persona nga burgu si pasojë e ngarkesës së madhe që ekziston momentalisht për të liruar hapësirë për paraburgosjet masive që janë kryer.
ma.me