Një tjetër bllok banimi në kryeqytet, kësaj here në periferi, po merr një pamje të re, me infrastrukturë rrugore dhe standarde. Fjala është për bllokun e pallateve që kufizohet nga rruga e Dibrës-Njazi Meka-Niko Avrami-Grigor Percelev në Njësinë Administrative Nr.4, e cila po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, duke përfshirë infrastrukturën nëntokësore, ashtu edhe atë sipërfaqe me rrugë, trotuare, ndriçim etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se ky është një investim që tregon se bashkia nuk i kushton vëmendje vetëm qendrës, por edhe periferisë.
“Më vjen mirë që jemi sërish në njësinë 4, në të cilën kemi investuar shumë dhe sot jemi në një situatë më të mirë, ku kemi kaluar nga koha kur merreshim vetëm me rregullime në qendër, në një fazë ku po punojmë paralelisht në 50 lagje të Tiranës. Në këtë njësi preken 8 blloqe banimi dhe kjo është mënyra se si i përgjigjemi premtimeve që bëmë ekzaktësisht një vit më parë, kur kjo njësi ishte një baltovinë e ku ndoshta prej vitesh nuk ishte hedhur as një lopatë asfalt”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai siguroi se ashtu si në çdo investim tjetër që bashkia po realizon në Tiranë, edhe në këtë lagje do të ndryshojë ndjeshëm niveli dhe cilësia e jetës urbane për të 5 mijë banorët e zonës, pasi nuk është thjesht një ndërhyrje për të shtruar disa rrugë apo trotuare, por një projekt model rikualifikimi urban, që do ta kthejë një hapësirë kaotike e të degraduar, në një hapësirë të mirëfilltë urbane.
“Kemi bërë të gjitha kanalizimet, duke u siguruar që në çdo lagje infrastruktura e nevojshme të jetë nëntokë, si dhe lirojmë hapësirat nga prishja e ndërtimeve pa leje. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që t’i respektojmë këto kufij dhe standarde të reja. Është jo normale që ne të fillojmë një garë sërish në vitin 2016, se kush zapton më shumë oborrin ku luajnë fëmijët e të gjithëve, trotuarin ku kalojnë pensionistët, ndaj dhe u kërkoj banorëve, tashmë që ky investim është drejt fundit, të sigurohemi që ruajmë hapësirat publike dhe bashkia nuk do të hezitojë të jetë gjithnjë me shumicën e ndershme që nuk zapton, por me ata që respektojnë hapësirën publike”, shtoi Veliaj.
Ai ka theksuar gjithashtu se, ashtu si edhe në çdo zonë tjetër ku është investuar në përmirësimin e infrastrukturës, edhe në këtë bllok banimi do të rritet vlera e pronës në favor të banorëve. “Më vjen mirë që raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë dëshmon se vetëm në këto muaj të këtij viti, vlera e pronës në Tiranë është rritur me 16%, falë investimeve që po bëhen në të gjithë territorin. 3 mujori i parë u rrit me 11%; tremujori i dytë me 5%. Besoj që nëse vijojmë me këtë ritëm investimesh është ndoshta dhurata më e mirë që mund të bëjmë për secilin që është banor i Tiranës, kur i rritet me ritme të tilla vlera e pronës dhe shtëpisë së tij”, u shpreh Veliaj, duke ftuar banorët që jo vetëm të mos i dëmtojnë, por edhe t’i ruajnë investimet./a.m.