Në pikun e verës kur temperaturat kanë qenë mjaft të larta mbi 100 familje në Fier po përballen me mungesën e ujit të pijshëm.
Pavarësisht se në këtë lagje ka pasur ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit përsëri furnizimi me ujë mbetet problem.
Më shumë se 100 familje në lagjen “16 Prilli” në qytetin e Fierit, prej më shumë se 1 muaji vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse pak kohë më parë në këtë lagje, drejtoria e ujësjellësit shtriu rrjetin e ri, në përpjekje të përmirësimit të furnizimit me ujë për këta banorë, gjendja është përkeqësuar edhe më tepër.
Sipas banorëve, edhe pse ata përdorin pompat e ujit në mënyrë që ai të shkojë në banesat e tyre, uji sërish mungon. Por çka e përkeqëson edhe më tepër situatën, është orari i furnizimit me ujë për këta banorë. Ata theksojnë se janë të detyruar që të ngrihen në mes të natës, me shpresën së një pikë ujë do të mbërrij në rubinetet e çezmave të tyre.
Furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Fierit, gjithmonë ka qenë një problem konstant për shumë familje, ndërkohë për rastin në fjalë pritet një reagim nga ana e drejtorisë së ujësjellësit Fier. / oranews/r.a