Nuk e humbisni asnjë seancë në palestër duke vrapuar në treadmill, ushtrime me pesha, biçikletë, por prapë peshorja nuk tregon shenja dobësimi, përkundrazi jeni duke shtuar peshë.
Ja 5 arsye pse mund të ndodh kjo:
1. A i keni reduktuar kaloritë?
Për të humbur peshë, duhet të djegim më shumë kalori sesa konsumojmë. Është e pamundur që gjithmonë (pavarësisht aktivitetit) ta djegim sasinë e madhe të kalorive të konsumuara nga një dietë e keqe. Mirëpo, duhet pasur kujdes kur është fjala te reduktimi i kalorive sepse ndalja e menjëhershme e kalorive mund të rezultojë në mos furnizim të trupit me energjitë e nevojshme për të ushtruar. Për më tepër, në shumicën e rasteve, ata të cilët i ndalin kaloritë në mëngjes kanë shumë gjasa që të konsumojmë dyfishin e asaj sasie në mbrëmje. Jini të kujdeshëm në marrjen e kalorive dhe tentoni që mëngjesi të ketë sasinë e duhur për të mos shkaktuar rënie të nivelit të sheqerit gjatë ditës.
2. Hani gjatë ushtrimeve
Konsumi i gjërave të ëmbla energjike nuk është mënyra më e mirë për t’i rimbushë muskujt tuaj gjatë ushtrimeve. Shumica e tyre janë të mbushura me sheqer dhe kalori dhe mund të sfidojnë procesin e djegies së kalorive të nxitura nga ushtrimet. Frutat, jogurtat ose lëngjet e ndrysme janë disa nga llojet e këtyre ushqimeve.
3. A ndiheni gjithmonë i uritur?
Kjo mund të mos jetë diçka e keqe. Hulumtimet kanë treguar rezultate kundërthënëse të efektit të ushtrimeve mbi rritjen apo zvogëlimin e apetitit. Zgjidhja mund të jetë, kurdo që ndiheni të uritur, dilni për pak kohë jashtë dhe sigurohuni që në të vërtetë problemi qëndron dikund tjetër; jeni të mërzitur apo të stresuar, të lodhur ose ndonjë arsye tjetër emocionale.
4. A bazoheni në njehësorin e kalorive të makinave ku ushtroni?
Treadmill-i dhe biçikleta juaj janë duke ju gënjyer. Bazuar në raportin e Këshillit Amerikan për Ushtrime, disa makina mund ta mbivlerësojnë sasinë e shpenzuar të kalorive deri në 30%. Nëse jeni duke u bazuar në këto të dhëna, atëherë jeni duke ngrënë më shumë kalori sesa shpenzoni. Mos i kushtoni vëmendje treguesit të kalorive, konsideroni humbjen e peshës si projekt afatgjatë dhe mos i ndalni ushtrimet.
5. A fleni pak?
Humbja e peshës është rezultat i ushqimit të shëndetshëm, ushtrimeve dhe pushimit. Nëse njëra nga këto ju mungon, dy të tjerat nuk janë duke ua shpaguar mundin. Për shumicën e njerëzve gjumi është problem shumë i madh. Kur nuk fleni mjaftushëm, hormonet e juaja për rregullimin e urisë ndalen, fenomen ky që rezulton me shtim të ndjenjës për t’u ushqyer. Rezultatet e mungesës së gjumit në shtimin e peshës janë të dokumentuara shkencërisht e poashtu edhe gjasat më të vogla për të ushtruar nëse gjumin të cilin e bëjmë nuk është cilësor./express/a.k