Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, në 15 mars të vitit 2008, la pas vetes 26 viktima dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
E gjithë kjo ngjarje tashmë është kthyer në film holivudian, i cili do të nis të shfaqet në kinematë botërore të premten, 19 gusht të këtij viti.
Filmi “War Dogs” (Qentë e Luftës), me protagonist tregtarët amerikanë të armëve, Efraim Diveroli dhe David Packouz, është i bazuar në një ngjarje të vërtetë e cila është shkruar nga Guy Lawson dhe është publikuar më pas në librin “Armë dhe Shokë”.
Kjo histori flet për dy trafikantët e armëve Packouz dhe Diveroli që morën një kontratë me vlerë 300 milionë dollarë për furnizimin me armë të trupave amerikane në Afganistan.
Efraim Diveroli u dënua me 4 vite burg për mashtrim, pasi me skemën e tij spekulative vuri në lojë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe qeveritë e disa shteteve, përfshi dhe Shqipërinë.
Kontrata me kompaninë e Diverolit “Aey” hodhi dritë mbi një seri aferash korruptuese në Shqipëri, ku u përfshinë zyrtarët më të lartë të shtetit. Diveroli u arrestua në 2008-ën nga autoritetet amerikane për trafik armësh.
Por, vlerësimet që i janë bërë këtij filmi nga kritikët, del se do të jetë filmi më i mirë i regjisorit Todd Phillips që nga franshiza “The Hangover”, e madje sipas “Hollywood Reporter”, ky film do të jetë vazhdim i “The Hangover”.
Filmi i përket zhanrit “komedi, dramë, luftë”.
Rolet kryesore i luajnë Miles Teller dhe Jonah Hill që paraqiten si miq të fëmijërisë e që shndërrohen në tregtarë ndërkombëtarë të armëve.
“Si zhvillohet ngjarja në film, del se Iraku është parajsë në krahasim me Shqipërinë, ku përkujtimet e komunizmit u shfaqen para syve dy të rinjve posa arrijnë në Shqipëri”, shkruan mes tjerash “Hollywood Reporter”, ka përgatitur Koha. (b.an)