Banka e Shqipërisë pritet të miratojë një rregullore për liçensimin e shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre.
Projekt-rregullorja sjell ndryshime të rëndësishme në kriteret e licensimit dhe funksionimit të këtyre institucioneve. Rregullorja e re do të përcaktojë kërkesa minimale për kapital. Një shoqëri kursim-krediti duhet të ketë një kapital minimal në vlerën e 5 milionë lekëve për të ushtruar aktivitetin bazë të pranimit të depozitave dhe dhënies së kredive për anëtarët e saj.
Rregullorja e re do të vendosë për herë të parë edhe kritere profesionale për administratorët dhe anëtarët e këshillit Drejtues të SHKK-ve. Ata duhet të kenë diplomë universitare dhe të paktën tre vjet përvojë në profesionin e tyre. Të njëjtat kritere vlejnë edhe për drejtuesit e Unioneve Të SHKK-ve.
Por, rregullorja e re ju njeh këtyre shoqërive edhe të drejtën për t’u licensuar në aktivitete të transfertave të parave, këmbimit valutor dhe qirasë financiare. Por, nëse SHKK-ja do të ushtrojë edhe një prej aktiviteteve të mësipërme, atëherë kërkesa për kapital rritet në 20 milionë lekë.
Asnjë institucion SHKK nuk mund të nisë aktivitetin pa marrë licensën nga Banka e Shqipërisë dhe çertfikatën e sigurimit të depozitave nga agjencia përkatëse./a.m.