Zëvendëspresidenti i SHBA-ve Joe Biden nisi sot takimin me kryeministrin Isa Mustafa, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Në takim janë të pranishëm dhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Branimir Stojanoviç dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.
Pas takimit me kryeministrin dhe disa ministra të kabinetit, zv/presidenti Biden pritet që të takohet edhe me presidentin Hashim Thaçi ku është paralajmëruar edhe një konferencë e përbashkët për media.
Biden mbërriti mbrëmjen e djeshme në Kosovë, ku u prit në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore nga Presidenti Thaçi, i cili i uroi mirëseardhjen.
“Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur presidenti i Kosovës.
Ditën e sotme në Prishtinë ka forca të shtuara të Policisë për vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vërehen nëpër rrugët e kryeqytetit, të cilat pothuajse janë të ‘blinduara’.
Gjithashtu, zv/presidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III, afër kampit Bondsteel.
Në pritjen në Aeroport të nënpresidentit amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituese e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medalje olimpike të Kosovës shtet. Trajneri i xhudistes, Driton Kuka ka thënë se nënpresidenti amerikan, Joe Biden i dhuroi Stemën Shtetërore të SHBA-ve kampiones olimpike Kelmendi.
Kjo është vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Kosovë, pas të parës në 21 maj 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë, ku është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, e cila u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës./b.j/KosovaPress