Përkundër deklaratave të disa ditëve më parë kur vendosi të deklaronte se do të hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Ermërimeve në Drejtësi, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur pak minuta më parë se e ka të pamundur të ushtrojë këtë të drejtë kushtetuese. Shkak, sipas tij, është mungesa e ligjit të posaçëm që përcakton kriteret e tjera për kualifikimin e kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit.
“Presidenti i Republikës vlerëson se në përzgjedhjen e kandidaturave që do t’i nënshtrohen shortit, është e nevojshme që të merren në konsideratë dhe “kriteret e tjera”, të cilat Kushtetuta në pikën 5 të nenit 149/d i ka referuar në ligjin e posaçëm, i cili akoma nuk është miratuar.
Referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të cituar më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se ndodhemi në rastin e rezervës ligjore absolute, ku norma kushtetuese ia rezervon vetëm ligjit rregullimin e kritereve të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve, të cilët do t’i nënshtrohen shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas kreut të shtetit, duke marrë në konsideratë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale. Por duke çmuar se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Në mungesë të ligjeve që përcakton kriteret e tjera të kualifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo edhe të ligjit të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese”, thekson Presidenca.
Presidenti pavarësisht rrugëtimit të reformës në drejtësi, pasojat e të cilës janë të ndjeshme që në momentin e parë të zbatimit të Kushtetutës, të ndryshuar, vlerëson konsensusin e arritur në miratimin me unanimitet të plotë të ndryshimeve kushtetuese.
Me. Ar