Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Artan Lame, kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për t’i dhënë mundësinë emigrantëve që të mbyllin proçedurat e legalizimit të shtëpive të tyre.
Në një konferencë për shtyp, Lame tha se, duke marrë shkas nga ardhja e emigrantëve gjatë sezonit veror, janë hapur sportele të veçanta shtesë në mënyrë që t’ju shërbehet sa më shpejt.
“Emigantët të përfitojnë, të mbyllin procedurat e shtëpive të tyre. Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve për t’ju hapur udhë emigantëve. Për ta do të ketë sportele të veçanta që të kryejnë procedurat e legalizimit”, tha ai.
Për sa i përket legalizimit të banesave, Lame bëri me dije se për muajin korrik në rang Republike janë legalizuar 5505 banesa, ndërsa për muajin qershor janë kryer rreth 4 mijë legalizime.
I pyetur se kur do të përfundojë procesi i legalizimit në Shqipëri, Lame tha se, gjithmonë në këtë vend do të ketë njerëz që kanë nevojë për t’u legalizuar. “Për fat të keq, edhe sot që ne flasim, në vende të caktuara po ndërtohet pa leje dhe një ditë edhe këta do të trokasin në shtetin shqiptar për të kërkuar legalizimin”, tha Lame.
Sipas tij, legalizimi i zonave të mëdha rreth qyteteve mbyllet në këtë legjislaturë, që do të thotë, Bathorja, Këneta e Durrësit, rrethinat e Shkodrës, Kamza, Paskuqani, pra gjithë këto zona mbyllen në këtë mandat.
Kreu i ALUIZN-t u shpreh se një masë qytetarësh nuk do të mund të përfitojnë nga legalizimi, duke sjell këtu si rast ndërtimet në zona arkeologjike. /r.a