Zbardhet drafti final “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, në kuadër të reformës në drejtësi. Ky projekt është ripunuar nga EURALIUSi dhe OPDAT-i për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) pas rezervave që Partia Demokratike shprehu për draftin fillestar të datës 24 qershor të këtij viti dhe të miratuar pa praninë e opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi në muajin korrik.
Kështu në draftin final janë përcaktuar qartë me disa ndryshime detyrat Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të jetë një njësi e pavarur hetimore. Kjo ka qenë një objekt debati dhe një nga shkaqet se pse opozita braktisi takimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën. Në draftin final bien në sy sugjerimet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it për disa nga nenet që opozita ka kërkuar të rishikohen, kryesisht ato nene që kanë të bëjnë me emërimet në strukturën e posaçme kundër krimit të organizuar, buxhetin e këtyre strukturave dhe afatet e funksionimit të tyre. Duke arsyetuar disa nga nenet, ekspertët nuk kanë pranuar disa nga propozimet e opozitës, pasi ato cenojnë thelbin e BKH-së.
Zëvendësimi i kreut të BKH-së
Në vërejtjet e opozitës ishte kërkuar të riformulohej neni 37 i projektligjit për BKH-në, por kjo sipas ekspertëve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it nuk ka kuptim. Opozita kishte kërkuar të riformulohej paragrafi 1 i nenit 37 ku thuhet: Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e shërbimeve të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë çdo mungese të Drejtorit”, por në opinionin e ekspertëve të huaj kjo është kundërshtuar dhe thuhet se “kjo nuk ka kuptim, pasi ka të bëjë me ndarjen e kompetencave menaxheriale/administrative. Kjo gjithashtu do të lejonte dikë të drejtonte BKH-në në mungesë të Drejtorit. Ky koment nuk parapëlqehet”.
Jo ndryshim të emërimeve në BKH
Në paragrafët 5 dhe 6 të nenit 46 përcaktohet emërimi i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit. 5. Emërimi i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit bëhet nga Drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. 6. Hetuesi mund të caktohet nga drejtori apo Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të punojnë me një prokuror të caktuar të Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi nuk mund të caktohet në një detyrë tjetër pa pëlqimin e prokurorit të posaçëm apo të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Pikërisht në këto dy paragrafë ekspertët e EURALIUS-it dhe OPDAT-it kërkojnë të mos bëhen ndryshime. “Ju lutem mos e ndryshoni këtë. Ky parashikim është bërë për të parandaluar Drejtorin e BKH-së të lëvizë vazhdimisht hetuesit nga një pozicion në tjetrin me qëllim kontrollin e hetimeve që kryhen nga prokurorët”, thuhet një vërejtjen e tyre në draftin final.
Komisioni i Pavarur i Rishikimit
Ekspertët e huaj sugjerojnë gjithashtu të mos ndryshohet edhe neni 49, që përcakton detyrat e Komisioni të Pavarur të Rishikimit. Sipas projektligjit ky komision përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Çdo mision cakton përfaqësuesit, të cilët japin udhëzime dhe këshilla ekspertësh për një funksionim më të mirë dhe për zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të BKH-së, vendimet për të shkarkuar punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe për sigurinë dhe respektimin e ligjeve në fuqi.
“Preferojmë që ky nen të mos ristrukturohet. Nuk do të ketë një marrëveshje dypalëshe, por me shumë gjasa ky do të parashikohet në një shkëmbim letrash diplomatike midis SHBA-së dhe qeverisë shqiptare në bazë të së cilës do të parashikohet asistenca financiare dhe MSA midis BE-se dhe Shqipërisë që do të lejojë misionin PAMECA të vazhdojë”, thuhet në sugjerimin e OPDAT-it dhe EURALIUS-it.
Buxheti i posaçëm
Në nenin 64 të projektligjit thuhet se buxheti përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe të miratuar me ligj të posaçëm për buxhetin. “Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka buxhet fillestar të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të miratuar me ligj të posaçëm për buxhetin. Të gjithë buxhetet e mëvonshëm përcaktohen në përputhje me nenin 63”, thuhet në projektligj. Ekspertët e huaj sqarojnë se kjo është përfshirë si buxhet fillestar pasi duhet të vendoset përpara krijimit të SPAK-ut apo të emërimit të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Drafti final për Byronë, PD: S’kemi dijeni, s’jemi njohur me ndryshimet
Pas zbardhjes së draftit final të ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit ka reaguar edhe Partia Demokratike, ku burime brenda së cilës bëjnë me dije se, anëtarët e saj në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi nuk janë në dijeni të asnjë drafti të tillë. Burime brenda selisë blu thanë për gazetën “Shekulli” se PD-ja e ka kërkuar prej kohësh ligjin për Byronë, por deri tani atyre nuk u është vënë në dispozicion asnjë ligj i tillë. Drafti final i Byrosë Kombëtare të Hetimit është hartuar pas rishikimeve të bëra nga ekspertët e EURALIUS-it dhe e OPDAT-it, shoqëruar bashkë me rezervat dhe sugjerimet e tyre mbi ndërhyrjet që duhet apo nuk duhet të bëhen. Përveç projektligjit të “Vetting”-ut, në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi, pritet të diskohet edhe për draftin final për BKH-në.
“Ndikimi politik e mediatik i SPAK-ut, vepër penale”
Të gjithë drejtuesit e medias apo funksionarët publikë qe në një formë ose tjetër ushtrojnë influencë mbi prokurorët e SPAK, tashmë përbëjnë vepër penale. Në bazë të ndryshimeve në ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, kriminalizohen me ligj ndërhyrjet politike e mediatike në punën e Prokurorisë së Posaçme që do të krijohet në kuadër të Reformës në Drejtësi. “Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj” thuhet në nenin 16 të ligjit e ri të rishikuar nga EURALIUS-it dhe OPDAT-i e që i është përcjellë deputetëve të komisionit të Reformës në Drejtësi. Ndërsa sipas nenit 245 të Kodit Penal kjo vepër penale e quajtur “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ ndëshkohet me burg nga 6 muaj deri 3 vjet. Në draftin për byronë, saktësohet varësia e kësaj strukture të re e cila nuk ishte parashikuar në draftin e vjetër që u miratua gjatë korrikut vetëm nga maxhoranca. Hetuesit do drejtohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Ndërkombëtarët u kanë kërkuar deputetëve që në mbledhjen e ardhshme të komisionit të mos ndryshojnë nenin për emërimin dhe lëvizjet e hetuesve të byrosë. Kjo për të parandaluar Drejtorin e BKH të lëvizë vazhdimisht hetuesit me qëllim kontrollin e hetimeve që kryhen nga prokurorët. Po ashtu reduktohen kompetencat e zëvendësdrejtorit të byrosë. Byroja nën Prokurorinë e Posaçme Në nenin 18 të draftit thuhet se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme drejtojnë punonjësit e Prokurorisë së Posaçme, atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe shërbimet e policisë gjyqësore lidhur me hetimin e çështjeve dhe çështjet e ndjekura prej tyre.
Të mërkurën mblidhet Komisioni i Reformës në drejtësi
Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi do të mblidhet të mërkurën në orën 10:00 për t’u njohur me vërejtjet e misionit të EURALIUS-it për opinionet e Partisë Demokratike mbi projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, njohur ndryshe si “Vetting”-u. Janë 10 çështje që Partia Demokratike kundërshton në projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të argumentuara në detaj në një material prej 55 faqesh. Në fakt pritej ditën e hënë që dy misionet e huaja të publikonin opinionin e tyre. Oponenca e Partisë Demokratike nis që me tekstin e projektligjit, i cili sipas ekspertëve të selisë blu nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të rivlerësimit, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave, duke e lënë kështu këtë proces në diskrecionin e organeve të përfshira në procedurë. Gjithashtu ekspertët demokratë i rikthehen sërish rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin nuk e gjejnë të pasqyruar mirë në ligj. Në opinionin e tyre, demokratët kërkojnë dhe rishikimin e rolit të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Pasurive dhe Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Ndërkohë, dita e sotme është afati i fundit që ka në dispozicion Presidenti i Republikës për të hedhur shortin për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i Shtetit është në pamundësi për të ushtruar kompetencën e tij, pasi ligji i rivlerësimit përmes të cilit duhet të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët që duan të jenë anëtarë të KED-së, ende nuk është miratuar. Me mbarimin e afatit kushtetues që i është lënë në dispozicion Presidentit, shortin për KED-në e hedh Kryetari i Kuvendit, ashtu siç e përcaktojnë ndryshimet e reja kushtetuese të 22 korrikut. Pas shqyrtimeve të qëndrimeve pozitë-opozitë në komision, pritet që palët të vendosin një datë për mbajtjen e seancës plenare, në të cilën do të votohet projektligji për “Vetting”-un që tashmë është një tjetër kusht i ndërkombëtarëve për t’u miratuar brenda gushtit, në mënyrë që të përfshihet në raportin e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë. /shekulli/r.a