Mediat mbështetëse të Partisë Demokratike kanë nisur sot një fushatë akuzash ndaj ish-kreut të partisë në Dibër, Rahim Kaleci. Ky i fundit është sulmuar se ka marrë plot 200 mijë euro për të sabotuar fushatën e opozitës në Dibër në zgjedhjet e parakohëshme lokale.
Sipas publikimeve sot, Kaleci është paguar nga kreu i PS në Dibër, Lefter Halla.
“Halla ka dhënë për kreun e shkarkuar demokrat të Dibrës, Rahim Kaleci, këstin prej 200 mijë eurosh nëpërmjet baxhanakut të tij, për të ndarë votat e djathta” – thuhet në lajmin e publikuar mbrëmjen e së hënës.
Sot, Edi Paloka kërcënoi hapur se të gjithë duhet të angazhohen në këtë fushatë, e “kush do të largohet apo ca më zi të rreshtohet te kundërshtarët do të marrë përgjigjen si kundërshtarë të PD-së”.
Kujtojmë se pas vendimit të Bashës për zgjedhje në degën e PD dhe shkarkimit të Rahim Kalecit, prej këtij të fundit pati protesta dhe pakënaqësi ndaj PD dhe kreut të saj.
Deklaratat dhe sulmet e sotme vijnë pas dyshimeve se nga radhët e opozitës mund të deklarohet një përkrahje e hapur ndaj Muharrem Ramës së mazhorancës. Ndërkohë, figura brenda PD lokale janë shprehur më parë kundër kandidaturës së Sherefedin Shehut.