Policia belge ka përfunduar analizat mjeko-ligjore dhe ka dalë me përfundimin se trupi i pajetë, pa kokë, krahë dhe këmbë, që u gjet në qershor, i përkiste një studenti shqiptar.
Ngjarja makabër u zbulua më 9 qershor të këtij viti, por vetëm dje, ekspertët mundën ta identifikonin viktimën. Ende nuk dihet shkaku dhe rrethanat e vdekjes, por ekspertët thanë se 22-vjeçari ishte skeduar më parë për rrahje dhe trafik kanabisi.
Drejtësia dhe Prokuroria e Brukselit i kanë dhënë përgjigje policisë vendase, duke u konfirmuar se trupi i cunguar i përkiste shqiptarit Xhuliano. B, 22 vjeç. Ai ishte student në vitin e parë të Universitetit Libre në Bruksel, ku studionte për Drejtësi. Ndërkaq, mësohet se janë lajmëruar familjarët, teksa po kryhen hetimet për të përcaktuar rrethanat e vrasjes.
Sipas njoftimeve të mediave belge, ishin pikërisht punëtorët e Komunës Jette, atë të cilët në orën 11:55 të së martës, më 9 qershor 2015, bënë zbulimin e tmerrshëm në një pyll, në kufirin midis Jette dhe Ëemmel.
Punëtorët gjetën një valixhe të madhe sportive, e cila kishte brenda një bust njeriu, të cilit i mungonte koka, parakrahët dhe një pjesë e këmbëve. Punëtorët ishin duke pastruar mbetjet e një ndërtimi prej druri që po bëhej në atë zonë, në momentin kur gjetën valixhen sportive.
Me ta hapur, ata u tmerruan nga zbulimi makabër që sapo kishin bërë dhe menjëherë lajmëruan policinë. Mbetjet trupore u dërguan menjëherë pranë Mjekësisë Ligjore.
Një pedagog i Mjekësisë dhe ekspertët mjekoligjorë shkuan në vendin ku u gjet trupi i pajetë, ndërsa prokurorët në Halle-Vilvoorde nisën hetimet, të urdhëruar nga gjykata. Hetimet u fokusuan kryesisht në identifikimin e kufomës dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të vdekjes së tij.