35 gradë celsius do të shënojë termometri këtë javë, ndërkohë që sipas specialistëve të Institutit të Gjeologjisë në të njëjtat vlera ato do të qëndrojnë deri në fund të muajit gusht. Specialistët bëjnë me dije se temperaturat e larta rikthejnë rrezikun e zjarreve, veçanërisht në zonat malore.
Pavarësisht rënies me disa gradë të temperaturave fundjavën që lamë pas, këtë javë duke nisur nga kjo e hënë do të pësojnë rritje me disa gradë. Specialistë të Institutit të Gjeologjisë parashikojnë që termometri këtë javë të shënojë temperatura deri në 35 gradë Celsius. I gjithë territori i vendit, përfshirë edhe zonat malore, do të përfshihet nga valët e të nxehtit, duke përjashtuar kështu mundësinë e reshjeve. “Do të fokusohesha tek temperaturat minimale që në qytetin e Tiranës, në periferi, arritën deri në 12 gradë Celsius gjatë fundjavës, në vijim pritet të rriten për të arritur deri në vlerat tipike të verës. Pak e ndjeshme do të jetë rritja në temperaturat e drekës, më të ndjeshme do të jenë temperaturat e mëngjesit. Kjo rritje do të bëjë që ne të ndjejmë më shumë ndjesinë e të nxehtit gjatë 24 orëshit”, thotë Metodi Marku.
Por sipas specialistëve të Institutit, rritja e temperaturave ka rikthyer edhe rrezikun e zjarreve. Zonat malore si Puka, Shkodra apo edhe Peqini janë më shumë të rrezikuara. “Zonat më të rrezikuara nga zjarret janë zona kufitare ndërmjet rretheve Shkodër, Pukë, Lezhë dhe Mirditë. Kur vimë në Shqipërinë qëndrore kemi një tjetër maksimum që është zona kufitare ndërmjet rretheve Tiranë, Kavajë, Peqin dhe në jug kemi një zonë tjetër problematike ku do të veçonim rrethin e Mallakastrës dhe zonat kufitare me të”, sqaron më tej Marku. Specialistët e Institutit bëjnë më dije se edhe gjysma e dytë e muajit gusht parashikohet të ketë të njëjtat vlera temperaturash që arrijnë deri në 34 gradë Celsius, gjë e cila favorizon të gjithë ata pushues të cilët kanë planifikuar pushimet e tyre në pjesën e dytë të këtij muaji.