Milot Rashica ka shpërndarë një mesazh për tifozët shqiptarë ku shpjegon arsyet e largimit të tij nga kombëtarja dhe bashkimin me Kosovën.
Rashica kërkon mirëkuptimin e tifozëve duke shtuar se mori një vendim të vështirë për të luajtur me ekipin e vendit ku ka lindur.
Mesazhi i plotë i Rashicës për tifozët
Mbasi para disa ditëve informova presidentin e FSHF-së, si edhe trajnerin e kombëtares, dua t’ju vë në dijeni për vendimin që kam marrë, për të luajtur në të ardhmen me përfaqësuesen e Kosovës.
Nuk e kisha të lehtë për të vendosur. Pasi një kohë të gjatë, kam luajtur me grupmoshat e Shqipërisë si dhe me Kombëtaren e cila ka përfaqësuar të gjithë shqiptarët – brenda dhe jashtë trojeve. Ky vendim nuk është një vendim kundër Shqipërisë, më tepër është një zgjedhje për Kosovën mbasi unë aty kam lindur dhe jam rritur. Unë dua që në hapat e para të përfaqësueses së Kosovës, të jap kontributin tim.
Ky vendim me siguri nuk do t’ju pëlqejë të gjithëve. Shpresoj që të ketë një mirëkuptim nga ana e tifozëve dhe drejtuesve të FSHF-së. Dëshira ime personale do të ishte që një ditë të kishim një kombëtare të përbashkët dhe unë të isha pjesë e saj. Për arritjen e kësaj ëndrre duhet të punojmë të gjithë shqiptarët së bashku.
Ju falënderoj të gjithë tifozëve shqiptarë për mbështetjen. Jam krenar që pata mundësinë të luaja me ngjyrat kuqezi./a.m.