Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Kavajë, Elvis Rroshi ka reaguar ndaj lajmit të bërë publik nga agjencia e lajmeve BIRN, dhe nga gazetarët Besar Likmeta, Fausto Biloslavo, Aleksandra Bogdani, ku ai raportohet si person i dënuar për trafik droge.
Në reagimin e tij Rroshi e cilëson këtë artikull të qëllimshëm dhe dashakeqës kur jemi në prag të zgjedhjeve vendore. Por kryebashkiaku aktual nuk e ka lënë me kaq, duke theksuar se nëse tre gazetarët nuk e përgënjështrojnë, ose në të kundërt të paraqesin faktet që kanë brenda së shtunës (3 ditë), atëherë ai do t’i drejtohet gjykatës ku do kërkojë 100 mijë euro dëmshpërblim. Sipas Rroshit artikulli është një cënim i figurës së tij dhe të tilla politika dashakeqe duhet të marrin fund.
Më poshtë reagimi i plotë i Elvis Rroshit:
“Asnjë akuzë referuar emrit tim nuk është e vërtetë dhe se te gjitha aludimet e bëra në lajmin përkatës përbëjnë spekullime denigruese pa bazë, pa fakte dhe pa respekt ndaj etikës profesionale të medias, ndaj personit tim, ndaj familjes dhe komunitetit qytetar kavajas, të cilët kam nderin ti përfaqesoj prej katër vitesh dhe do ti përfaqësoj edhe në katër vitet e ardhshme.
Ne respekt të publikut dhe të vërtetës kam dyshime të besueshme se përbaltja e kandidaturës sime, katër ditë përpara zgjedhjeve, në artikullin me titull “Zbardhet e shkuara kriminale e kandidatëve për zgjedhjet vendore”, botuar në rubrikën “Investigim” në datën 17 qershor, është e qëllimshme, dashakeqëse, pa prova dhe argumente dhe me deklarata të “zyrtarëve të Zvicrës” që kanë folur me këtë agjenci “në kushtet e anonimatit”.
Unë edhe më parë jam ndeshur me akuza spekullative, sidomos në prag të zgjedhjeve ku provohet mbështetja qytetare ndaj meje dhe projektit politik që përfaqësoj. Kisha vendosur që të mos u përgjigjesha akuzave të tilla, por, kur ato, kalojnë cakun dhe bëhen qëllimisht, nga kundërshtarë politik apo mediat që i mbështesin, vetëm e vetëm për të prishur imazhin tim publik, më detyrojnë që t’i kthehem sistemit të drejtësisë për t’u marrë me hetime të mëtejshme.
Sipas parimeve të së vërtetës dhe medias profesionale, agjencisë së sipërpërmendur BIRN, tre gazetarëve që kanë firmosur këtë artikull, dhe agjencisë ëëë.reporter.al, u kërkoj publikisht që brenda tre ditëve (deri diten e shtunë 20.06.2015), të përgënjeshtrojnë këtë artikull dhe aludimet denigruese, si dhe të kërkojnë falje publike për cënimin e imazhit dhe figurës sime.
Brenda ketij afati u kerkoj atyre të publikojnë dokumentet apo faktet që pretendojne se disponojnë ne alibine e tyre se unë kam qenë “subjekt procedimi penal nga viti 1993 deri në 1997”, apo “dënimin tim për trafik droge” sikurse citohet në artikull. Në rast të kundërt, nëse ata nuk respektojnë parimet e medias etike dhe nëse brenda këtij afati nuk japin fakte ose nuk kërkojnë falje, një studio ligjore, do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore, duke filluar, menjëherë ditën e dielë, në datën 21 qershor, për agjencinë që ka raportuar këtë lajm dhe për të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat apo televizionet që e kanë pasuar raportimin e këtij lajmi spekulativ, dashakeqës dhe të qëllimshëm për të dëmtuar imazhin tim në zgjedhje.
Do të kërkoj një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh dhe këto fonde, ju garantoj, do të përdoren për rikonstruksionin e gjimnazit kryesor të qytetit të Kavajës. Në këtë mënyrë, do t’i japim fund njëherë e mirë gjithë spekulimeve që janë bërë në media me këtë çështje”.