Policia e Shkodrës ka arrestuar pesë persona si të dyshuar për atentatin e një nate më parë në Shkodër si dhe objektivin e atentatorëve, duke e çuar në gjashtë numrin e të prangosurve. Policia ka zbardhur dinamikën e dy ngjarjeve radhazi, atentatin ndaj Donald Shtjefnit në qendër të qytetit të Shkodrës i cili në atë moment po lëvizte me një automjet tip BMW X5, ndërsa u qëllua me një breshëri automatiku nga një tjetër automjet BMW X5.
Pas atentatit në qendër të Shkodrës, policia ka zbardhur edhe aksidentin e ndodhur në fshatin Golem, ku makina e autorëve të sulmit, ka dalë nga rruga. Policia dyshon se BMW X5 ku udhëtonin autorët është ndjekur nga një tjetër automjet, ku nuk përjashtohet se mund të ketë pasur të shtëna me armë.
Nisur nga këto dy ngjarje, orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia vuri në pranga Behar Brajoviç (Bajri), 36 vjeç, banues Shkodër ( i dënuar më parë), Ilir Rustemi (Bajri), 40 vjeç, banues në Shkodër, ( i dënuar më parë), Bledar Lekaj , 26 vjeç, banues në Shkodër ( i dënuar më parë), Donald Shtjefni, 31 vjeç banues në Shkodër, Kristjan Shtjefni, 26 vjeç, banues në Shkodër si dhe Patrik Salaj, 21 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar 10 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja model 54, dy armë zjarri pistoletë, një armë zjarri automatik, 5 krehra automatiku, 2 krehra pistoletë, 2 automjete, 4 aparate telefoni celular etj.
I arrestuar nga Policia është edhe objektivi i sulmit me armë, Donald Shtjefni. Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Anglia, ndërsa nuk figuron të ketë precedent penal, pavarësisht se rezulton me mbiemër të ndryshuar.
Ai i është kundërpërgjigjur me zjarr atentatorëve, të cilët kanë shtënë me një armë kallashnikov në drejtim të makinës tip BMW X5, e cila drejtohej nga Shtjefni. Shtjefni ka marrë një plumb në pjesën e krahut, por pa rrezik për jetën.
Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje, por fakti që Shtjefni ka pasur armë me vete, tregon se e priste një atentat të tillë.
Ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të populluar nga qytetarë vendas por edhe nga mjaft turistë të huaj kryesisht nga Mali i Zi dhe Kroacia, të cilët vizitojnë qytetin e Shkodrës, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur pasoja të rënda në jetë njerëzore.
Mësohet se pas ngjarjes, autorët u aksidentuan në fshatin Golem të Shkodrës, disa km larg vendit ku kryen atentatin. Në përpjekje për tu larguar, ata kanë aksidentuar një motor. Policia gjeti brenda mjetit një krehër me fishekë kallashnikovi gjë që shtoi dyshimet e policisë se automjeti i përkiste autorëve.
Ata kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë, ndërsa janë arrestuar nga policia në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Policia e Shkodrës zbardh dinamikën e ngjarjes:
“Më datë 14.08.2016 në orën 22:15 është njoftuar se në lagjen ” Vasil Shanto” tek Hotel Rozafa janë dëgjuar krisma armësh.
Mënjeherë në vendngjarje kanë mbërritur Shërbimet e Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë Shkodër të cilët kanë konstatuar se është plagosur shtetasi Donald Shtjefni dhe kanë bllokuar zonën përreth vendit të ngjarjes në bashkëpunim me forcat e FNSH-së, kanë ngritur dhe disa pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorëve .
Në orën 22:26 në fshatin Golem Shkodër, është njoftuar për një dalje nga rruga të një automjeti. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur Shërbimet e Policisë Rrugore të cilët kanë konstatuar se ishte automjeti BMË me targë AA 006NL, në të cilën udhëtonin shtetasit Behar Brajoviq (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj.
Nga veprimet e shpejta operacionale dhe proceduriale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, bënë të mundur në një kohë të shkurtër të ndërlidhin rastet, të zbardhin dhe dokumentojnë ngjarjen si dhe identifikojnë e të ndalojnë autorët.
Nga hetimet e para rezulton se shtetasit Donald Shtjefni, Kristian Shtjefni dhe Patrik Salaj të cilët kane qenë duke lëvizur me automjetin BMË X5, me targe SB60 CEA dhe shtetasit Behar Brajoviq(Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj të cilët kanë qenë duke lëvizuar me autoveturën BMË me targe AA 006 NL, në lagjen “Vasil Shanto”, kanë qëlluar kundrejt njeri- tjetrit me armë zjarri, pistoletë dhe automatik, ku nga ky shkëmbim zjarri ka mbetur i dëmtuar shtetasi Donald Shtjefni i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë jashtë rrezikut për jetën.
Motivi i ngjarjes është një konflikt për motive të dobta mes shtetasve të përfshirë në këtë ngjarje i ndodhur pak orë para ngjarjes.
Ndërkohë shtetasi Bledar Lekaj ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë kurse shtetasit Behar Brajoviq (Bajri) dhe Ilir Rustemi (Bajri) ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti të cilët po marrin mjekimin e nevojshëm dhe ndodhen të tre jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar:
-10 gëzhoja model 56,
– 5 gëzhoja model 54
– dy armë zjarri pistoletë
– një armë zjarri automatik
– 5 krehra automatiku
– 2 krehra pistoletë
– 2 automjete
– 4 aparate telefoni celular etj.
Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasve :
- Behar Brajovicc (Bajri), 36 vjeç, banues Shkodër ( i dënuar më parë)
- Ilir Rustemi (Bajri), 40 vjeç, banues në Shkodër, ( i dënuar më parë)
- Bledar Lekaj, 26 vjeç, banues në Shkodër ( i dënuar më parë)
- Donald Shtjefni, 31 vjeç banues në Shkodër
- Kristjan Shtjefni, 26 vjeç, banues në Shkodër
- Patrik Salaj, 21 vjeç , lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë
Është shpallur në kërkim policor edhe shtetasi me iniciale A.M., pasi dyshohet si bashkëpunëtor në ngjarje dhe punohet për kapjen e tij.
Ndalimi i tyre, u krye në bashkëpunim me Prokurorinë Shkodër, për veprën penale të ” Vrasjes me dashje” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 76-22-25 e 278 të Kodit Penal”.
shqiptarja.com/d.i.