Nga patenta, te leja e qarkullimit, te destinacioni i përdorimit të mjetit apo dokumenti i udhëtimit për shërbimet e rastit. Në total janë 45 dokumente që u kërkohen drejtuesve të mjeteve nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve të transportit apo policisë rrugore.
Ky institucion ka bërë publike listën e plotë të dëshmive e certifikatave që i kërkohet çdo shoferi, në bazë të mjetit të transportit që drejton, si dhe në bazë të shërbimeve që ofron.
Lista shtrihet te të gjitha kategoritë e drejtuesve të mjetit, duke nisur nga makinat e vogla, deri te autobusët apo mjetet e rënda të transportit.
Sipas Drejtorisë së shërbimit të transportit rrugor, drejtuesve të mjeteve të vogla u kërkohet leja e qarkullimit të mjetit, certifikata e Kontrollit Teknik, Taksave të regjistrimit dhe qarkullimit. Kërkohet gjithashtu leja e drejtimit të drejtuesit të mjetit dhe përputhja e saj me kategorinë e mjetit.
Për subjektet që ofrojnë shërbim taksi apo transport udhëtarësh kërkohen leja e operimit, dokumenti i udhëtimit për shërbimet e rastit në transportin brenda vendit të udhëtarëve, destinacioni i përdorimit të mjetit në përputhje me lejen e lëshuar nga organet përkatëse.
Kërkohet gjithashtu dhe dokumentacioni për mjetet origjinale të prodhuara për destinacionin e lejuar si dhe atyre që kanë kryer ndërhyrje konstruktive të kundraligjshme.
shqiptarja.com/d.i.