Një klerik mysliman dhe shoqëruesi i tij janë qëlluar për vdekje nga një person i armatosur, teksa ata të dy largoheshin nga falja në një xhami në Kuins të Nju Jorkut. Personi i armatosur u ishte afruar atyre nga prapa dhe i kishte qëlluar në kokë me të shtëna nga afër, dje pasdite sipas kohës lokale, ka njoftuar policia. Policia ka thënë se lidhur me këtë krim ende nuk ka asnjë të arrestuar.
Motivi për këtë vrasje nuk është i njohur dhe nuk është zbuluar ndonjë dëshmi se të dy personat ishin shënjestër e sulmit për shkak të fesë së tyre, tha një zëdhënëse e Policisë së Nju Jorkut. Megjithatë, ajo ka theksuar se policia nuk e përjashton pisten e terrorizmit. Personat e vrarë, të identifikuar si Imam Maulama Akonjee, 55 vjeçar, dhe Thara Uddin, 64 vjec, ishin të veshur me rroba fetare në kohën kur janë qëlluar me armë, ka njoftuar policia.
Ata kanë vdekur pasi ishin dërguar në spital. Mesohet se Imami Maulama Akonjee, 55 vjeç, kishte ardhur nga Bangladeshi dy vjet më parë.