Prokurori i Përgjithshëm nuk do të jetë më autoriteti, i cili do të shqyrtojë, miratojë apo refuzojë kërkesat e institucioneve të parashikuar me ligj, për përgjimin e telefonatave. Lajmi konfirmohet nga Shqiptarja.com e cila shkruan se kështu parashikon drafti për përgjimet, i cili ndryshon ligjin nr. 9157, datë 04.12.2003 “Për përgjimin e Telekomunikimeve”. Drafti, i cili ka shkruar në komisionin për Reformën në Drejtësi, është përgatitur nga ekspertët EURALIUS dhe OPDAT, duke e përputhur me projektin kushtetues si dhe me projektligjin për ngritjen e institucioneve që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, kryesisht SPAK dhe Byroja e Hetimit. Projektligji ndryshon pikërisht nenin 8 të ligjit aktual për përgjimet. Neni i ndryshuar parashikon që kryetari i Gjykatës së Lartë ose, në mungese të tij, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë që merret me çështjet nën juridiksionin e Gjykatës Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar i autorizuar prej tij, miraton ose refuzon kërkesat e shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Financave, si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj. Ligji aktual ia jep këtë kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm ose një prokurori i autorizuar prej tij. Po ashtu, drafti parashikon që kryetari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, merr vendim me shkrim për kërkesën për përgjim, i cili hartohet në tri kopje. Një kopje e vendimit që miraton kërkesën, mbahet në bërthamën komanduese elektronike të Prokurorisë, një e mban Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe një kopje institucioni që ka bërë kërkesën.
Kërkesa për përgjim
Kërkesa për përgjim përmban institucionin kërkues, emrat dhe funksionet e punonjësve që ndjekin procesin informativo-gjurmues, gjeneralitetet dhe adresën e subjektit në proces informativo-gjurmues ose në ndjekje, si dhe adresën e mjedisit/mjediseve me të cilat lidhet kërkesa për përgjim. Gjithashtu përmban përshkrimin komunikimeve elektronike ose të objekteve private apo publike që do të përgjohen, arsyet e përgjimit, si dhe bazën dokumentare ose materialin informativ ku mbështetet kërkesa për përgjim. Kërkesa duhet të përmbajë edhe argumentet që vërtetojnë se përgjimi është i domosdoshëm në situatën e krijuar dhe se të dhënat që kërkohen nuk mund të sigurohen me mjete të tjera.
Vendimi për përgjimin
Sipas draftit, vendimi për miratimin e përgjimit përmban Strukturën përgjegjëse në SHISH, në seksionin e përgjimeve të Policisë së Shtetit apo në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ose, sipas rastit, punonjësit e autorizuar nga titullarët e institucioneve kërkuese për të kryer procesin teknik të përgjimit. Po ashtu vendimi përmban gjeneralitetet dhe adresën e subjektit që do të vendoset nën përgjim, pajisjet fundore të përdorur nga subjekti i përgjimit, sipërmarrësin e komunikimeve elektronike si dhe mjediset private ose publike që do t’i nënshtrohen video survejimit apo përgjimit. Vendimi përmban edhe afatet e përgjimit, ku përcaktohet data dhe ora e fillimit dhe e mbarimit.
Pjesë nga drafti për përgjimet e telekomunikimeve
Neni 9
Vendimi për përgjim
Kryetari/Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji, merr vendim me shkrim për kërkesën për përgjim, i cili hartohet në tri kopje. Një kopje e vendimit që miraton kërkesën, mbahet në bërthamën komanduese elektronike të Prokurorisë, një e mban Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe një kopje institucioni që ka bërë kërkesën.
Neni 12
Sektori i Përgjimeve
1. Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH realizon vetëm proceset teknike të përgjimit komunikimeve elektronike, video survejimit të fshehtë të mjediseve private dhe publike ose të dëgjimit dhe regjistrimit të fshehtë të bisedave në mjediset publike dhe private, për llogari të institucioneve shtetërore informative, pasi është marrë vendimi për përgjim sipas këtij ligji. Proceset teknike të përgjimit, për llogari të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, realizohen nëpërmjet seksionit të tyre të përgjimeve, të atashuar në strukturën Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH. Për llogari të institucioneve të tjera, procesi teknik i përgjimit kryhet nga punonjësit e autorizuar prej tyre.
2. Punonjësit e Strukturës Përgjegjëse të Përgjimeve në SHISH dhe punonjësit e seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të atashuar në sektorin e përgjimeve në SHISH fillojnë marrëdhëniet e punës pasi njoftohet më parë Prokurori i Përgjithshëm ose/dhe Shefi i Prokurorisë së Posaçme.
3. Realizimi i përgjimit Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme bëhet nëpërmjet sistemeve të instaluara për këtë qellim. Sistemi i përgjimit kurdoherë duhet të jetë i përbërë nga dy pjesë, të cilat nuk mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
Neni 13
Bërthama komanduese elektronike
Bërthama komanduese elektronike është pajisje teknike në administrim dhe e instaluar pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila lejon ose ndalon përgjimin e një pajisjeje fundore. Punonjësi i bërthamës komanduese elektronike, pas vendimit me shkrim për miratimin e kërkesës për përgjim, mundëson teknikisht procesin e përgjimit nga Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme.
Neni 14
Kohëzgjatja e vendimit te përgjimit
1. Të gjitha vendimet për përgjimin e komunikimeve elektronike, video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike ose dëgjimin dhe regjistrimin e fshehtë të bisedave në mjediset publike dhe private janë të vlefshme për një periudhe deri në tre muaj. Për çdo zgjatje të këtij afati, institucioni shtetëror informativ i paraqet Kryetarit /Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji një kërkesë se bashku me materialin e deriatëhershëm te zbardhur.
2. Çdo zgjatje afati nuk mund të jetë më tepër se tre muaj.
3. Nëse ndodh një ndryshim, që çon në përfundimin se përgjimi apo video survejimi nuk është më i nevojshëm ose praktik për t’u zbatuar, atëherë, me kërkesë me shkrim të institucionit shtetëror informativ ose me nismën e Kryetarit/Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtari tjetër të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji, vendimi revokohet.
Neni 15
Njohja me rezultatet e përgjimit
Me rezultatet e përgjimit njihet vetëm drejtuesi i institucionit shtetëror informativ që ka kërkuar përgjimin.
Neni 16
Kufizimet në përgjim
1. Personave të ngarkuar me funksionin apo detyra të caktuara në ose për procesin e përgjimit në tërësi apo në veçanti u ndalohet:
a) të përhapin ose të përdorin jashtë kërkesave të këtij ligji apo të ligjeve në fuqi të dhënat e grumbulluara;
b) të përgjojnë pa autorizim ose jashtë procedurave të ngarkuara nga ky ligj.
2. Procesi i përgjimit, në tërësi ose në veçanti, përbën sekret shtetëror, shkelja e të cilit dënohet sipas legjislacionit penal në fuqi.
Neni 17
Situatat emergjente
1. Për situata emergjente, Kryetari/Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, me kërkesë verbale të drejtuesit të institucionit shtetëror informativ, urdhëron me shkrim realizimin teknik të procesit të përgjimit ose video survejimit. Urdhri regjistrohet menjëherë në evidencat e bërthamës komanduese elektronike pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe të specialistëve të Strukturës Përgjegjëse të Përgjimeve në SHISH ose seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Me regjistrimin e urdhrit, specialistët e Sektorit te Përgjimeve ose të seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme realizojnë procesin e përgjimit.
2. Brenda 24 orëve nga fillimi i përgjimit ose video survejimit, institucioni shtetëror informativ që ka bërë kërkesën, i paraqet Kryetarit/Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtari tjetër të Gjykatës së Lartë, kërkesën e rregullt me shkrim, e cila përmban arsyet e veprimeve emergjente së bashku me komunikimin e përgjuar të zbardhur. Mbi këtë bazë merret vendimi përkatës për vazhdimin ose ndërprerjen e përgjimit.
3. Mosparaqitja e kërkesës me shkrim brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, sjell ndërprerjen e menjëhershme të përgjimit.
Neni 21
Aftësitë përgjuese të rrjeteve të telekomunikacioneve
1. Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike realizojnë, me shpenzimet e tyre, infrastrukturën e nevojshme ne rrjetin e tyre te komunikimeve elektronike, deri në pikën e lidhjes me bërthamën elektronike të komandimit, për të siguruar, brenda 180 ditëve nga marrja e kërkesës nga institucionet që administrojnë sisteme përgjimi, sipas këtij ligji, aftësinë përgjuese ndaj përdoruesve që shfrytëzojnë shërbimet e komunikimeve elektronike te ofruara prej tyre.
2. Infrastruktura që realizohet nga operatorët e komunikimeve elektronike për të siguruar aftësinë përgjuese duhet të jetë në përputhje teknologjike me pajisjet e bërthamës komanduese elektronike dhe Strukturës Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH.
3. Operatorët e komunikimeve elektronike janë të detyruar të ofrojnë pa pagesë çdo shërbim në funksion të procesit të përgjimit.
4. Kur sipërmarrësit e komunikimeve elektronike bëjnë çdo lloj ndryshimi teknologjik ose zgjerim kapaciteti, detyrohen të mbulojnë me shpenzimet e veta vazhdueshmërinë e funksionimit të procesit të përgjimit.
5. Në rast ndryshimesh në bërthamën elektronike të komandimit, që imponojnë ndryshime në infrastrukturën e komunikimeve elektronike të sipërmarrësve, struktura përgjegjëse për bërthamën elektronike të komandimit njofton sipërmarrësit e komunikimeve elektronike për ndryshimin, të paktën, 180 ditë para këtij ndryshimi.
6. Në rast të mos përmbushjes së detyrimit, sipas pikës 1 të këtij neni, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vepron në përputhje me kompetencat e parashikuara në nenet 18, 131 dhe 137 të ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.