Partia Demokratike ka lëshuar sërish akuza në drejtim të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me bandat e drogës.
Në një dalje për mediat nga selia blu, Enkeleid Alibeaj i bën disa pyetje kryeminsitrit Rama, nëse Tahiri udhëtoi në Itali me disa trafikantë droge shqiptarë dhe italianë, duke përmendur edhe emrin e organizatës “Sacra Corona Unita”.
Ja deklarata e plotë e Alibeajt:
Kryeqehajai i Edi Ramës në punët e drogës, Saimir Tahiri, ka kohë që është zhdukur nga qarkullimi, për shkak se çdo shqiptar e di mirë se portreti i tij është i lidhur me çdo parcelë me kanabis në vend dhe me taksën 30 përqind për çdo rrënjë të mbjellë.
Informacione të sigurta tregojnë se Tahiri është parë në fund të korrikut në një udhëtim të dyshimtë.
Kemi sot disa pyetje për Edi Ramën.
A ka qënë ministri yt i drogës, në linjën Durrës-Bari ne datat 29-31 Korrik, në shoqërinë e drejtuesve të rrugëve kryesore të kanabisit, Arjanit Arapi, Jaeld Çela, Boge Bodini?
Cili ka qënë synimi i këtij udhëtimi?
A ka qënë në kthim Tahiri në shoqërinë e disa shtetasve italianë në tragetin ku kishin rezervuar 3 kabinat e sipërme?
A janë regjistruar këta shtetas kur kanë hyrë në pikën kufitare të Durrësit bashkë me Tahirin në orën 22.20 të 31 Korrikut?
Nëse jo, pse nuk janë regjistruar?
A keni të dhëna nga burime të brendshme apo të huaja se shtetasit italianë dyshohen të jenë përfaqësues të organizatës famëkeqe të Mafias Italiane, Sacra Corona Unita?
Po dalja dhe kthimi i Tahirit dhe shpurës se tij, a janë regjistruar në pikën kufitare? Nëse jo, pse jo?
Këto lëvizje që përkojnë me pikun e sezonit të hashashit dhe trafikimit të sasive të mëdha në Itali janë dëshmi tronditëse të implikimit të thellë të qehajait të Ramës në menaxhimin e transportimin e drogës.
Këto informacione e denoncimet që Partia Demokratike ka bërë me emra me njerëz e me zona konkrete të rritjes së drogës, dëshmojnë qartë se kemi të bëjmë me një biznes kriminal që ka mbytur vendin e që drejtohet nga Edi Rama.
Shqiptarët nuk e kanë bërë këtë zgjedhje. Shqiptarët do të shpëtojnë nga sundimi i bandave të drogës të lidhura me Edi Ramën. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.
/a.m.