Dhjetra të rinj kanë festuar dje në mbrëmje Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Dt. 12 gusht 2016 në mjediset e Amfiteatrit – Parku i Madh i Liqenit Artificial, Tiranë nën tingujt e muzikës së grupeve muzikore, “All In” Band, “Romanipe” Band, “Janex Duo” dhe shumë artistëve të rinj të talentuar.
Rrjeti i Informimit i BE-së iu bashkua festimeve për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, me koncertet Vibe Europe të cilat u zhvilluan paralelisht në Tiranë (Amfiteatri), Shkodër (plazhi i Velipojës) dhe Vlorë (Shëtitorja Skelë).
I Ngarkuari me Punë pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri Jan Rudolph i pranishëm në koncertin e Tiranës deklaroi duke iu drejtuar të rinjve: “Mësoni sa më shumë, shfrytëzoni mundësitë e shumta që ofron BE përmes programeve, Erasmus+, EVS, EU Young Entrepreneurs. Të rinjtë janë çelësi drejt zhvillimit, ndaj Bashkimi Evropian mbështet aq shumë rininë dhe organizatat rinore, pasi jeni ju ata që do e afrojnë vendin me Evropën”.
Drejtoresha e Përgjithshme e politikave sociale dhe rinisë në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Znj. Merita Xhafaj u shpreh se investimi për rininë është investim për të ardhmen. Ministria ka ndërmarë një sërë nismash në këtë drejtim, ku ajo vecoi ligjin për vullnetarizmin i cili do I shërbejë kualifikimit të të rinjve.
Koncerti Vibe Europe I cili vazhdoi deri në mesnatë u ndoq vec të rinjve edhe nga pjesëtarët e komunitetit rom të strehuar në Qendrën Tranzitore të Emergjencave në Tufinë.
Çdo 12 gusht në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Tema e përzgjedhur për këtë vit është “Rruga drejt 2030: Të zhdukim varfërinë dhe të arrijmë prodhim dhe konsum të qëndrueshëm”.