Pritje e ngrohtë pritet t’i bëhet Majlinda Kelmendit pas kthimit në atdhe, shkruan Koha Ditore. Xhudistja që bëri histori, të shtunën (sot) në mbrëmje, sipas orës në Rio, do të niset për në atdhe, ndërsa në Kosovë do të mbërrijë të dielën pasdite. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është marrë të premten me organizimin e pritjes për Kelmendin dhe ekipin e Kosovës në xhudo.
Majlinda Kelmendi të dielën e kaluar bëri histori, duke fituar medaljen e artë olimpike në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Olimpike, ngjarjen më të madhe sportive. Ajo doli kampione në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo.
Tek e arta arriti falë katër fitoreve ndaj xhudistëve të tjera elitare të botës. Titullin olimpik, 25-vjeçarja nga Peja ua ka bashkuar dy titujve të botës dhe dy të Evropës që i ka fituar më herët. (b.an)