Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranë, Halim Kosova organizoi të mërkurën takimin përmbyllës në Kombinat, nga ku theksoi se do të sjellë në Bashkinë e Tiranës zërin e të gjithë qytetarëve të Tiranës.
“Modeli im nuk është i fjalës, por i punës. E kam treguar për 35 vite në profesionin tim dhe po pres ta dëshmoj për 1 milionë banorë të Tiranës së madhe. Do të sjell në bashki zërin tuaj. Zyra ime do të jetë zyrë shërbimi ndaj qytetarëve”, tha kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e kryeqytetit.
Kosova premtoi ujë 24 orë, harmonizim të prodhimeve të fshatit me tregjet, ulje me 30% të taksave për biznesin dhe mbështetje për idetë novatore.
“Kam vullnetin për t’i shkuar gjërave deri në fund. Kam objektiva dhe i përmbush”, shtoi Kosova, i cili nënvizoi se “politikanët kanë shpenzuar kohë dhe energji duke luftuar me njëri-tjetrin, por unë kam kohë vetëm për punë”.