Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, për grupin “Koha”, ka folur për vendimin që në vend të trajnerëve në Lojërat Olimpike të jenë selektorët e sportistëve.
Garuesi kosovar në not nuk ka pasur trajner. Me të në “Rio 2016” kishte udhëtuar selektori, kurse për shkuarjen e tij Hasani ka thënë se Federata e Notit kishte vendosur.
“Noti nuk ka pasur trajner, një sfidë me të cilën është ballafaquar bordi ekzekutiv ka qenë a duhet të vijë trajneri apo përzgjedhësi. Gjithmonë na kanë thënë se kjo varet nga Federata. Ne nuk kemi vendosur se kush do të udhëtojë nga trajnerët”, ka thënë Hasani.
“Federatat kanë vendosur vetë, ne kemi respektuar vendimin e tyre. Unë besoj shumë që puna e trajnerit është në ciklin katërvjeçar, unë besoj se rëndësia e trajnerit në momente vendimtare është e nevojshme.
Në të ardhmen Federatat duhet t’u japin përparësi trajnerëve dhe besoj se ata duhet të jenë prezent”, ka thënë ai, referon Koha. (b.an)