Një baba shqiptar është arrestuar në Itali për dhunë ndaj fëmijëve. Shqiptari 46vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur akuzohet se ka dhunuar prej 7 vitesh dy fëmijët e tij, sot 15 dhe 11-vjeçar.
Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në Colle Val d’Elsa (Siena). Sipas dëshmive babai kthehej vazhdimisht i dehur në shtëpi dhe rrihte dy fëmijët, më i vogli nga të cilët, vetëm dje gjeti guximin për t’ju drejtuar karabinerëve dhe denoncoi të atin.
Një ditë më parë, babai hyri në banesë i dehur dhe filloi t’i dhunonte, shkruan Panorama. Pasi njëri prej tyre e kundërshtoi, ai i mori të dy dhe i mbylli në garazh, ku nisi prapë t’i rrihte me shkop. Nëna nuk mundi dot të ndërhynte, vetëm ulërinte, u mbyll në dhomë e nisi të qante.
Kur të atin e zuri gjumi në divan, i vogli i fëmijëve bëri denoncimin në polici, e cila më pas arrestoi babain e dhunshëm. Policia gjeti autorin me shishe birre në dorë, kurse në dysheme me një shkop me shenja gjaku.
Dy fëmijët u dërguan në spital për mjekim. Edhe e ëma në gjendje të rëndë psikologjike u dërgua gjithashtu në spital.