Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë një njoftim, shoqëruar me ilustrimet grafike, për shërbimin e urgjencës në Tiranë. Shkak u bë një shkrim në sitin Balkanweb, ku flitej për një burrë, i shtrirë përtokë, që priste ambulancën, e cila erdhi pas 45 minutash. Në komunikatë, thuhet se ambulanca ka mbërritur dhjetë minuta pas telefonatës dhe kjo faktohet me kopjet e gjurmimit me sistemin GPS, instaluar në ambulancë.
Njoftimi
Në shkrimin me titull “Pamje tronditëse, burri i shtrirë në tokë pret ambulancën për 45 minuta,” të botuar sot (10/08/2016) në portalin informativ online “Balkanweb.com” pretendohet se autoambulancës së shërbimit të urgjencës mjekësore i janë dashur 45 minuta për të mbërritur e për t’i ardhur në ndihmë një shtetasi në Rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë.
E vërteta është krejt ndryshe.
Siç edhe mund të verifikohet fare lehtësisht nga dokumentacioni i shërbimit të urgjencës dhe regjistrimi elektronik nëpërmjet sistemit GPS të aktivitetit të lëvizjes në terren të autoambulancës “TR 9921 K Urgjenca e Tiranës”, thirrja për t’i ardhur në ndihmë personit në nevojë është marrë nga centrali i shërbimit të urgjencës mjekësore në orën 09:46 dhe orari i mbërritjes së autoambulancës te vendodhja e personit në nevojë shënon kohën 09:56.
Pra, siç mund të shihet qartësisht, autoambulancës i janë dashur vetëm 10 minuta, dhe jo 45 minuta apo më tepër, siç pretendohet në shkrimin e sipërpërmendur, për të mbërritur në vendodhjen e personit në nevojë pas marrjes së thirrjes.
Bashkëlidhur njoftimit, do të mund të gjeni kopje elektronike të praktikës së gjurmimit me sistemin GPS të instaluar brenda autoambulancës për rastin në fjalë.