Pas përplasjeve në Bashkinë e Himarës mes banorëve dhe pushtetit vendor e qendror për çështjen e pronave, ka ardhur dhe reagimi i opozitës për këtë çështje. Është Partia Republikane e cila përmes një deklarate për shtyp dënon dhunën mbi banorët e Himarës dhe kërkon kthimin e pronave në bregdet dhe gjithë Shqipërinë.
“Partia Republikane dënon çdo formë të dhunës qeveritare mbi banorët e Himarës dhe gjithë bregdetit. Kërkojmë kthimin e pronave në bregdet dhe mbarë Shqipërinë, si një e drejtë legjitime e banorëve të këtyre zonave që i kanë ndërtuar dhe trashëguar këto prona ndër shekuj. Partia Republikane kërkon të regjistrohen të gjitha pronat e pronarëve të ligjshëm, shtëpi apo prona të tjera në Himarë, e gjithë bregdetin, të hipotekohen dhe pajisen me certifikatat e pronësisë. Është e turpshme kur nga njëra anë qeveria legalizon paligjshmërinë dhe atyre familjeve që e kanë pronë prej shekujsh nuk ja njeh”, deklaron PR-ja. Në vijim, republikanët kërkojnë që të ndalet çdo projekt shkatërrues në emër të interesit publik korruptim që cenon pronën legjitime dhe i shërben vetëm interesave korruptive të pushtetit. “Çdo plan zhvillimi ka nevojë për gjykimin dhe mbështetjen e komunitetit. As kryeministri dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të sillet si pronar me pronat e bregdetasve”, thuhet në deklaratën e PR-së.