Njëri nga anëtarët e grupit të hetimit për vjedhjen e bankës tek ish-Blloku, i cili ka parë materialet filmike të mbledhura nga policia e prokuroria për ngjarjen, tha për “Panorama” se autorët e vjedhjes kanë qenë dy persona.
“Të paktën ata që kanë hyrë dhe kanë dalë në bodrum, duket se kanë qenë dy persona”, tha anëtari i grupit të hetimit. Sipas tij, kamerat kanë fiksuar momentet e lëvizjes së këtyre dy personave gjatë natës, teksa ata mbanin elektrikë në duar.
“Janë dy persona që kanë hyrë në bodrum me elektrikë në duar dhe i kanë ndezur, pasi kanë mbyllur derën e jashtme dhe kanë lëvizur Brenda ambientit, në mënyrë që të mos ngjallnin dyshime jashtë”, tha hetuesi.
Ai bëri me dije se nga tërësia e materialeve filmike të marra nga kamerat në krejt zonën dhe brenda bankës, autorët ose kanë qenë me maskë në kokë, ose janë kapur nga larg dhe në errësirë, çka e pamundëson identifikimin e tyre.
Hetuesit dyshojnë se jashtë bodrumit autorët janë mbështetur edhe nga persona të tjerë.
“Prokuroria e Tiranës tha dje se nuk është në dijeni të pamjeve filmike që identifikojnë me fytyrë njërin apo dy autorët e vjedhjes në filialin e bankës tek ish-blloku. Nga kamera e rrugës evidentohen në orët e mbrëmjes së shtunë dy persona që me çanta në dorë largohen nga pallati të kamufluar me kapele, por për shkak të cilësisë së dobët të kamerave, nuk identifikohen”, thanë burimet e akuzës.