Në mbledhjen e 124-të të qeverisë, kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar vëmendje të veçantë për problemin e rasteve që po humben në gjykata të ndryshme dhe prej të cilave po dëmtohen Qeveria dhe buxheti i Republikës së Kosovës, shkruan Koha Ditore.
“Para dhjetë ditësh kemi pasur vendimin lidhur me detyrimin që ne duhet ta paguajmë për pasaporta, rreth pesë milionë euro. Gjatë këtyre ditëve kemi problemin e AXOS-it dhe të procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me AXOS-in.
Ka edhe shumë probleme dhe lëndë të tjera, të cilat po zhvillohen këtu në Kosovë, pjesa dërrmuese e tyre po humbet ose po kontestohen dhe në të cilat buxheti mund të dëmtohet”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ka nevojë për koordinim në këtë drejtim.
Sipas tij, është ministrja e Drejtësisë dhe një departament brenda këtij dikasteri që merret me këto. (b.an)