Skuadra e Vardarit, kampione në fuqi e Maqedonisë, nuk pranon të ndihmojë Shkëndijën e Tetovës në rrugëtimin e saj historik në Europa League. Klubi tetovar i kishte kërkuar skuadrës së Shkupit që për shkak të ndeshjeve të saj në play-off në Europa League të mundësonte shtyrjen e ndeshjes mes tyre të javës së dytë të kampionatit të planifikuar për të dielën.
Por duket se drejtuesit e Vardarit u frikësohen sukseseve të tetovarëve dhe në vend që të ndihmojnë këto të fundit për të ecur sa më shumë në Europë, nuk kanë pranuar as shtyrjen e ndeshjes për një datë tjetër dhe as afrimin e saj për të shtunën.
Klubi i Shkëndijës ka zbuluar gjithçka nëpërmjet një komunikate zyrtare ku ka bërë të ditur se si kampionët e dy viteve të fundit kishin vepruar jo vetëm në dëm të tetovarëve, por edhe në dëm të futbollit maqedonas.
Komunikata
Edhe pse të gjithë vazhdimisht përsërisin se bashkarisht duhet të angazhohemi për avansimin e futbollit të Maqedonisë, gjithmonë shkelen fjalët dhe premtimet kur vjen momenti kjo gjë të dëshmohet në realitet. Shembull klasik janë drejtuesit e KF Vardarit, që nuk marrin parasysh kërkesën e Shkëndijës për prolongim të ndeshjes për shkak të angazhimeve të klubit tonë në play offin e Liga Evropës.
Klub të madh nuk të bëjnë fjalët por veprat! Edhe futbolli nuk do të ec kurrë përpara vetëm me premtime demagoge se bashkarisht do të konribuojmë për avansimin e këtij sporti në vendin tonë. Fjalë shumë, vepra hiq! Kot premtimet, mbledhjet, tribunat dhe projektet për ngirjte të cilësisë së futbollit të Maqedonisë, kur ngecim që në testin e parë kur vjen puna të tregojmë këtë në realitet.
KF Shkëndija prezanton Maqedoninë në Liga Evropa dhe arritja në fazën e play-offit për hyrje në grupe nuk ngren vetëm klubin, por edhe futbollin e Maqedonisë në përgjithësi. Dhe në kushte kur ekipi duhet të presë sa më i përgatitur dhe i pushuar duelet me Gentin nga Belgjika, këtu në Maqedoni injorohet kërkesa e Shkëndijës për prolongim të ndeshjes së xhiros së dytë Vardari-Shkëndija që në program është të dielën (14.08.2016). Drejtuesit e Vardarit nuk kanë treguar gatishmëri për të shprehur mirëkuptim për kërkesën e Shkëndijës as për të luajtur një ditë më herët (në vend të së dielës të luhej të shtunën), e cila fundja është në interes të gjithë futbollit në Maqedoni.
Ne si klub shprehim indinjatë të thellë për disa pika të rëndësishme që direkt aludojnë në injorim të klubit tonë, si:
-Mungesa e mirëkuptimit elementar për prioritetet e garave ndërkombëtare në progresin e Shkendijës,
-Kjo nuk krijon parakushte për bashkepunim korrekt dhe të qëndrueshëm,
-Federata e futbollit të Maqedonisë duhet të mendojë më pro-aktivisht për të krijuar rregullime shtesë të këtyre aspekteve, nëse vërtet dëshiron të progresoj futbolli dhe vendi në garat ndërkombëtare!
Për këto arsye KF Shkëndija njofton publikisht opinionin se të enjten nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e zakontë me kryesinë e Vardarit që organizohet para çdo takimi ndërmejt këtyre dy ekipeve. Vlerësojmë humbje kohe të ulemi bashkë dhe ta shikojmë njëri tjetrin si miq shumë të mirë, ndërsa këtë nuk e dëshmojmë kur vërtet është nevoja.