Avokati Idajet Beqiri, njëherësh kryetar i Partisë Unitetit Kombëtar ka reaguar pas akuzave të Izet Haxhisë i cili teksa fajësonte Fatos Klosin si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, përmendte edhe Idajet Beqirin, për doisa kamera të vendosura në zyrën e këtij të fundit përballë PD-së. Në një shkrim të gjatë te gazeta Dita, Beqiri akuzon Haxhinë për krimet që ka bërë sipas avokatit me porosi të Berishës.
Nga Av. Idajet Beqiri
Kur Izet Haxhia filloi të denoncojë grupin e strukturuar kriminal në gjirin e PD, të udhëhequr nga Sali Berisha, si kreu i këtij Grupi, si dhe vetë Izeti, si një prej ekzekutorëve të kësaj bande kriminale që veproi me egërsi të madhe në vitet 1990-1998, kam dhënë vlerësimet e mija për rëndësinë juridike që kishin faktet që ai parashtronte, si duheshin trajtuar ato prej organit të akuzës, çfarë hetimesh duheshin nisur dhe si duhej të vepronte Prokuroria e Përgjithshme për të bërë sigurimin e këtyre provave në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Sigurimi i provave të paraqitura nga Izet Haxhia duhet të bëhet prej Gjykatës së vendit ku ndodhet Izet Haxhia duke u futur kështu në veprim Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë, e cila të bashkëpunojë me Ministrinë e drejtësisë të Turqisë, aq më shumë kur vetë Izet Haxhia, të paktën nga sa ka deklaruar në shtyp dhe në faqen e tij të Facebook-ut, është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.
Me këtë rast kam shpjeguar se cila është pozita juridike e Izet Haxhisë në krimet që ka kryer Banda e Berishës, si pjesëtar i kësaj organizate kriminale, diku në rolin e ekzekutuesit, diku në rolin e mos kallëzuesit të krimeve etj. Në këtë shkrim e kam këshilluar Izet Haxhinë, si penalist domosdo, që sa më shpejt të ishte e mundur, të kërkonte prej Prokurorit të Përgjithshëm statusin e bashkëpunëtorit me drejtësinë, të bënte një marrëveshje me të, t’i qëndronte me vërtetësi dhe ndershmëri shembullore asaj marrëveshjeje, dhe kështu mund të përfitonte statusin e të penduarit, çka në fund të fundit do ta shpëtonte atë nga masa e burgimit që ka marrë dhe mund të diferencohej nga grupi i strukturuar kriminal i Berishës.
Mirëpo Izet Haxhia, megjithëse i përshkruan me hollësi disa prej krimeve që ka kryer Banda Kriminale e Berishës, anëtar i së cilës ka qenë edhe ai vetë, megjithëse në shumë denoncime vetëfajësohet, çka është normale, sepse të gjitha rolet në këtë organizatë kriminale nuk mund t’i merrte Berisha, shpesh herë ngatërrohet me vetveten dhe merr poza prokurori, në një kohë që është ndër të akuzuarit kryesorë si bashkëpunëtor i Bandës. Sali Berisha ishte udhëheqësi i organizatës, frymëzuesi, motivuesi, financuesi, nxitësi, piketuesi i ekzekutimeve etj, por nuk mund të ishte vetë edhe ekzekutori, edhe ndihmësi për të gjetur armët, për të transportuar ekzekutorët për në vendin e ngjarjes, për t’i nxjerrë në pritë ata që do të ekzekutoheshin etj. Për këto role ishte Izeti si dhe kompania tjetër në shërbim të Berishës.
Duke mos pasur një këshilltar të mirë, Izet Haxhia ka dalë jashtë “shinave” nga ekzaltimi i të qenurit “protagonist” në faqet e shtypit shqiptar, falë rolit të tij si bashkëpunëtor nga më të afërtit të Berishës për vitet 1991-1998, falë rolit të tij si bashkautor dhe dëshmitar okular në ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në këtë periudhë, dhe çdo ditë që kalon po e humbet sensin e masës, sensin e të vërtetave të ngjarjeve. Po bëhet i pabesueshëm, sepse po përzien të thatin me të njomin, dhe ndoshta padashur, ndoshta nga mllefi i hakmarrjes ndaj atyre, të cilët i konsideron si shkaktarë të dënimit të tij të rëndë me burg prej gjykatës shqiptare dhe të syrgjynosjes së tij, po rrënon vetveten dhe po u jep në dorë “armë” të akuzuarve të Bandës Berisha si dhe vetë këtij të fundit të thotë: “Me përrallat e Izetit merreni ju?!”
Në nxjerrjen e këtij konkluzioni, krahas shumë të tjerave, marr shkas nga statusi i tij i djeshëm që Izet Haxhia ka bërë në Facebook dhe që është botuar i plotë në gazetën “Dita”, ku ndër të tjera thotë:
“Por të kthehemi tek libri i De Villers, profesor. Atje përshkruhet vrasja e Azem Hajdarit. Në libër tregohet se personazhi kryesor ka qenë në vendngjarje. Nga entuziazmi për të bërë bashkautorin me De Villers, të ka shpëtuar një detaj profesor, jep të dhëna për vrasjen, ashtu si do të dukeshin jo nga rruga, por nga lartësia pranë ndërtesës së PD.
Këto të dhëna i ke nga kamera e fshehtë e vendosur në zyrën e Idajet Beqirit, në ndërtesën ngjitur me atë të PD-së. Për këtë qëllim i the Idajet Beqirit, të marrë me qira atë zyrë nga ku shihej si në pëllëmbë të dorës oborri i PD dhe vendi ku u vra Hajdari. Natën e vrasjes së Hajdarit ti dërgove njerëzit e tu të çmontojnë ato kamera dhe kjo nuk u përmend kurrë në hetimet, ashtu si edhe telefoni celular i zhdukur i Hajdarit.
Ajo kamera ka të vërtetën e vrasjes së Azem Hajdarit. Çfarë bleve me kasetën e asaj kamere profesor? A ruajte kopje, apo ia dërgove shitësit kamerën e kasetën bashkë? Ti bleve jetën tënde profesor, ne të dy e dimë. Si dhe përse do ta them njëherë tjetër.”
Një gënjeshtër vërtetë e madhe. Një “përrallë” që shqiptarët e kanë parë vetëm në serialin televiziv të viteve ’70 të shekullit të kaluar “Hans Klos”, i cili u dha pak para rrëzimit të komunizmit në Shqipëri në TVSH, si paralajmërim se edhe tek ne, do të binte “Muri i Berlinit”! Fakti është jo vetëm hamendësim, por tepër i papërgjegjshëm dhe lehtësisht i rrëzueshëm duke i bërë të gjitha ato që thotë Izet Haxhia të pavlera!
Dëshpërimi i thellë i Izetit, përpëlitjet për shfajësim, po e vetëvrasin atë edhe moralisht, por edhe juridikisht, sepse duke e kërkuar “të keqen” atje ku nuk është, po zbeh dhe po vë në dyshim edhe ato prova e fakte ku e keqja është në të vërtetë. Mllefet e pakuptimta të Izet Haxhisë ndaj ish kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, i cili për hir të së vërtetës ishte dhe ka mbetur deri më sot i vetmi Kryetar i këtij Shërbimi që e ktheu SHIK-n e Gazidede-Millosheviçit të kohës së Berishës, në SHISH të Shqipërisë, shqiptarëve dhe aleatëve tanë të fuqishëm strategjikë perëndimorë, posaçërisht të SHBA, janë thjesht dhe vetëm personale banale, hakmarrje primitive, rrjedhojë e mosdakordësisë së Izetit me të vërtetën dhe me të qenurit parimor dhe tepër korrekt në paraqitjen e ngjarjes siç ka ndodhur.
Është një “shpikje” banale, lehtësisht e provuar si një mashtrim dhe gënjeshtër groteske, dhe madje tepër qesharake e Izet Haxhisë e ashtuquajtura “kamera e fshehtë e vendosur në zyrën e Idajet Beqirit” nga Fatos Klosi!
Në radhë të parë Fatos Klosi u bë kreu i SHISH në vitin 1997. Partia e Unitetit Kombëtar dhe unë si kryetar i saj, me rastin e themelimit si Parti në datën 10 janar 1991, me Vendim të Këshillit të Ministrave u pajisëm me plotë 6 zyra në të njëjtën kohë me PD në vitin 1991, ose plotë 6 vjet më parë se Fatos Klosi të bëhej kreu i SHISH!
Ja që ra versioni i pavërtetë i Izet Haxhisë se gjoja në këto zyra ne u vendosëm me qera nga Fatos Klosi! Ato zyra ne i kishim tonat me vendim qeverie, duke mos paguar asgjë, të dhëna si seli pune për Partinë dhe Gazetën “Kombi”, si një ndër tre partitë e para të krijuara pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri në vitin 1990.
Në radhë të dytë, ne si Parti e Unitetit Kombëtar morëm pjesën e zyrave ku ndodhej selia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it. Këto zyra ishin nga ana perëndimore e godinës, ndërsa në anën veriore, ku ndodhi vrasja e Azem Hajdarit ishin zyrat e shumta të PD, e cila mori afro 3/4 e gjithë Godinës së ish Ministrisë së Ekonomisë Komunale. Zyra ime dhe të 5 zyrat e tjera të PUK, ishin me fushëpamje nga perëndimi, domethënë nëse do të vendoseshin kamera në të, ato kamera mund të filmonin vetëm Selinë e Ministrisë së Transportit, dhe një pjesë të Ministrisë së Brendshme. Pra zyrat tona për arsye objektive ndahesh e stërndarjesh me mure betoni, nuk kishin asnjë lloj qasje fushë pamje me vendin ku u zhvillua i gjithë skenari i vrasjes së Azem Hajdarit. Gjithçka u zhvillua para selisë së PD. Ne e kishim me kurriz, domethënë nga mbrapa PD dhe izolimi ishte me mure të brendshme si dhe me gjysmën e selisë së PD që ishte në veri të zyrave tona!
Sipas logjikës së Izet Haxhisë kamera e vendosur nga Fatos Klosi në zyrën time, mund të regjistronte vetëm murin e betonit, i cili pasonte edhe katër mure të tjera betoni, të izoluara plotësisht, pa asnjë dritare dhe fushë pamje nga ana veriore, për të shkuar dhe për të parë vendin ku ndodhi vrasja. Mjafton një këqyrje me sy e zyrës time dhe e gjithë zyrave të tjera të PUK, për të vërtetuar alibinë e stisur të Izet Haxhisë kundër Fatos Klosit!
Izeti në fakt ngatërron kohët. Këtë punën e mjeteve të përgjimeve të zyrës time ai e ka për tjetër kohë, por i janë bërë “lëmsh” ngjarjet! Te zyrat tona, nga korriku i vitit 1992 e derisa theu qafën qeverisja barbare antishqiptare e Berisha – Gazidede-Millosheviç në vitin 1997, përgjuesit nuk u ndanë! Herë pas here, përmes specialistëve të mirëfilltë që kishim simpatizantë të Partisë, dhe që kishin përvojën e Shtëpisë me Gjethe, apo të asaj Shtëpisë në Vilën përballë ish Ambasadës së Jugosllavisë, hiqeshin “çimkat” që vendosnin emisarët e Gazidedes. Disa nga këta emisarë i kemi zbuluar atëhere dhe…i kemi rrahur për hir të së vërtetës! Mirëpo vinin emisarë të tjerë, sa kur e pamë që nuk ua dilnim dot, pasi ata vë, e ne hiq, nuk u morëm më me ato përgjime dhe përgjues, i lamë të livadhisnin për hesapin e Berishës! Të vetmen gjë që bënim, sapo hynim në zyra, me që e dinim se përgjoheshim, shanim me rrënjë e degë Berishën dhe Sllobodankën e tij, i thoshim çfarë mendonim për të dhe SHIK-un famëkeq të Gazidedes, dhe vazhdonim punën të bindur se 24 orë çdo ditë përgjoheshim! Izet Haxhia, si pjesë e afërt e atij shërbimi sekret antishqiptar në ato vite, si urdhërues dhe i urdhëruar prej tij, si ekzekutues i përmbajtjes së atyre përgjimeve, me sa duket mban mend atë periudhë kohore dhe i ngatërron keq e në dëm të vetes me periudhën post 1997!!
***
Në vend të mbylljes, me që jemi edhe në muajin gusht, pra sezon pushimesh e plazhesh, dhe qytetarët e këtij vendi kanë shumë nevojë për pak relaksim, për këtë të pavërtetë të madhe të nxjerrë nga Izet Haxhia për të ashtuquajturën “ekzistencë si provë për vrasjen e Azem Hajdarit të një kamere filmike të filmuar nga Fatos Klosi, por të zhdukur” (!), po i kujtoj atij një ndodhi që ka lidhje me vendlindjen e tij. Një person, me që Oda e burrave duhej mbajtur me muhabete të këndshme, për t’u bërë interesant, gënjente shumë. Dhe askush nuk e besonte më! Një ditë, së bashku me nipin e vet, shkuan për darkë te një krushqi e re që kishin bërë në Malësinë e thellë. Nipi ishte i zgjuar dhe rrugës i thotë xhaxhait: “Të lutem mos n’a turpëro me gënjeshtra që unë nuk t’i mbuloj dot te krushqia. Gjithsesi nëse harron, sepse këtë “zanat” ke një jetë që e vë në përdorim, nëse unë nuk arrij të të mbuloj, do kollitem! Dhe ti menjëherë korrigjo veten!”
Vajtën te krushqia dhe nisi muhabeti. Rrëfimi i parë i xhaxhait ishte se rrugës kishte parë një arushë në majë të një lisi duke ngrënë gjethe dhe loçka lisi! “Nuk ka mundësi, – tha krushku, – të ngjitet arusha në lis.”
“Më falni, tha nipi i zgjuar, se ka mundësi. Këtej nga ana juaj bie borë e madhe me lartësi mbi 2 metër. Arusha ka kaluar dhe ka qëndruar mbi lis. Kur është shkrirë bora, ka mbetur në majë të lisit!”I kënaqur nga ky “mbulim” që nipi i bëri gënjeshtrës së tij, xhaxhai filloi të mos e kontrollonte më veten!
“Pak më poshtë, – tha, – pashë një dhelpër që më pafshi pa sy, në u gënjej, e kishte bishtin të bukur dhe plot 50 metra të gjatë!
U kollit nipi.
“Më falni, tha xhaxhai se u ngatërrova, por bishtin e kishte 25 metra të gjatë!”
Prapë u kollit nipi.
“Më falni, tha prapë xhaxhai, se u nxitova, por bishtin e kishte 5 metra dhelpra që pamë!”
Nipi i dha edhe një të kollitur tjetër. Xhaxhai u kthye nga nipi dhe i tha:
“Plaç me gjithë kollë, pa dy pëllëmbë bisht nuk e lë dhelprën unë!”
Edhe kjo puna e Izetit, është mirë që “gjella të jetë me kripë, por kripa të jetë me karar”, ndryshe do të dëmtojë të vërtetat e mëdha dhe vetveten e tij, nga tregimi i përrallave të pavërteta, si ky rasti me “kamerën e Klosit”!/a.m.