Maturantët që dëshirojnë të marrin certifikatën e provimit të anglishtes ‘TOEFL Junior Standard Test’, që e kanë dhënë si provim me zgjedhje në 24 qershor 2016, duhet të paguajnë rreth 20 mijë lekë. Sipas një njoftimi të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, maturantët që dëshirojnë të marrin certifikatën “Gold TOEFL Junior Certificates” duhet të paguajnë 10 euro për certifikatën dhe 5 euro për shërbimin postar.
Këtij provimi maturantët i janë nënshtruar për herë të parë në këto provime mature dhe në total anglishtja me zgjedhje u zgjodh nga rreth 11 mijë maturantë. Por në një kohë që drejtues të ministrisë kanë deklaruar se për maturantët dhe familjet e tyre do të ketë zero kosto, gjë që është theksuar edhe nga vetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë prezantimit të projektit ‘TOEFL Junior’ më 6 qershor në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ata gjenden përballë një pagesë 15 euro.
“Ky proces është një tjetër hap në drejtim të standardizimit me kritere bashkëkohore, që çon në forcimin e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar dhe ka zero kosto për maturantët dhe familjet e tyre. 50 ekspertë të gjuhës angleze do të përmirësojnë kurrikulën e gjuhës angleze, falë dhe adresimit të problemeve që do të rezultojnë nga testimi i 11.000 studentëve”, ka theksuar ministrja Nikolla. Po ashtu, këta maturantë janë privuar edhe nga e drejta për të marrë fotokopje të testit, pasi sipas MAS në bazë të rregullave të përcaktuara nga “Educational Testing Service” (ETS), maturanti/kandidati nuk ka të drejtë të kërkojë fotokopje të tekstit të testit dhe të fletës së përgjigjes.
Certifikata&pagesa
“Informojmë të gjithë nxënësit, që në provimin e ‘TOEFL Junior Standard Test’ kanë marrë nga 850-900 pikë, se do të pajisen nga ‘Educational Testing Service’ (ETS) ‘Global BV’ me certifikatën ‘Gold TOEFL Junior Certificates’. STA (ETS Global distributor) do të menaxhojë procesin. Nxënësit që duan të pajisen me certifikatë, duhet të paguajnë 10 euro për certifikatën dhe 5 euro të tjera për shërbimin postar DHL”, njoftohet nga AKP.
Po ashtu, në njoftim sqarohen edhe hapat që duhet të ndjekin maturantët rëp të bërë pagesën dhe më pas të marrin certifikatën. “Kjo pagesë do të bëhet në llogarinë e shpjeguar në linkun e aplikimit për certifikatë. (http://registrati-on.staedu.com/gold_toefl_ junior/1.html)
a.Nxënësit duhet të aplikojnë online në faqen e internetit të S.T.Ahttp://registration.sta-edu.com/gold_toefl_junior/1.html, duke plotësuar një formular me të dhënat si: ID e Maturës, emër, mbiemër, adresa e-mail, numër telefoni dhe adresën ku kërkojnë që t’u dërgohet certifikata, nëpërmjet DHL-së.
b.Nxënësit do të paguajnë në bankë, duke shënuar emrin, mbiemrin dhe ID e Maturës.
c.STA do të verifikojë rezultatet në databazën e saj, në bazë të ID-së Maturës.
d.STA do të realizojë dërgesën e certifikatave. Dërgesa postare e certifikatave do të bëhet sipas radhës së aplikimit, nga muaji shtator 2016 deri në muajin dhjetor 2016. Periudha kohore në të cilën nxënësit mund të porosisin certifikatat është deri në fund të vitit. Lutemi, nëse kërkoni informacion të mëtejshëm, mos hezitoni të kontaktoni ETS, në adresën e e-mailit:info@sta-edu. com”, sqarohet në njoftim.
Anglishtja
Gjuha angleze u dha si provim në datë 24 qershor 2016 dhe për herë të parë ishte një test i njohur ndërkombëtarisht “TOEFL Junior Standard Test”. Anglishtja me zgjedhje u përzgjodh nga 11 mijë maturantë. Testi maste aftësitë gjuhësore deri në nivelin B2, në mënyrë të harmonizuar me kurrikulën e sistemit arsimor të mesëm të lartë.
Ndryshe nga pritshmëritë se maturantët do të dilnin dobët për shkak të këtij standardi të ri, nga të dhënat e AKP në provimin e anglishtes me zgjedhje, rezulton se rreth 500 maturantë kanë marrë pikët maksimale dhe janë vlerësuar me notën 10. Dhe vetëm 50 maturantë janë vlerësuar negativisht, pra rreth 0.4%.
BW/d.i.