Avokati i Fatmir Kuçit, biznesmenit të akuzuar për vrasjen e turistit rus teksa lahej në det në Himarë, ka dorëzuar sot një kallëzim për oficerin e Policisë Gjyqësore. Sipas avokatit Alban Qafa, oficeri i Policisë Gjyqësore ka marrë në pyetje djalin 11-vjeçar të Fatmir Kuccit pa praninë e psikologut dhe të avokatit.
Sipas Qafës, 11-vjeçari u mor në pyetje në momentin kur ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike, pasi doli në breg për të kërkuar ndihmë.
“Arrestimi i Fatmir Kuçit është bërë në kundërshtim me kërkesat e nenit 251 dhe 252 të K.Pr.Penale, pasi nuk jemi përpara rastit të flagrancës. Personi nën hetim nuk është kapur gjatë kryerjes së veprës apo menjëherë pas saj nga policia gjyqësorë. Ai e ka sjellë të dëmtuarin në port i ndihmuar dhe nga një person tjetër. Ka njoftuar policinë për të sjellë ambulancën. Organi i akuzës mbështetet vetëm në një indicie që është deklarimi i të birit 11-vjeçar të të dyshuarit. I cili ka dalë i pari në breg për të kërkuar ndihmë. Fëmija është pyetur në kushtet e tronditjes dhe shokut psikologjik. Nuk është asistuar nga psikologu dhe avokati, siç përcakton K.Pr.Penale. në kundërshtim flagrant me ligjin, duke kryer veprime arbitrare ndaj një të mituri”, shprehet avokati.
Për këtë ai ka depozituar një kallëzim penal ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore që ka kryer marrjen në pyetje të djalit 11-vjeçar të Fatmir Kuçit, sipas tij “në kundërshtim flagrant me ligjin”.
Më 3 gusht, turisti rus u godit nga një mjet lundrues teksa lahej në det, e si pasojë gjeti vdekjen. Dyshohet se turisti kishte dalë në det me kostum uji dhe dëmtimet në pjesën e shpinës dhe gjymtyrëve janë shkaktuar nga helika e mjetit lundrues. 43-vjeçari nga Shën Peterburgu i Rusisë, i quajtur Denis Kaiumov po pushonte në brigjet e Himarës me bashkëshorten dhe vajzën e tij, pushime që përfunduan në një tragjedi./news24/a.k