Muajt e parë të vitit kanë shënuar një bum të vërtetë të blerjeve online. Nga janari në prill të këtij viti shqiptarët kanë kryer 132 mijë blerje online dukje shpenzuar rreth 200 mijë dollarë përmes këtyre transaksioneve. E dhëna vjen përmes Shoqatës Shqiptare të Bankave, sipas së cilës totali i blerjeve në internet për 4 muajt e parë të vitit ka arritur në 24.6 milionë lekë.
Kjo sasi e konsiderueshme transaksionesh mbetej në masë të madhe e pataksuar. Kjo pasi taksimi për këto lloj blerjesh, niste nga vlera 20 mijë lekë e lart. Dhe duket se është pikërisht volumi I rritur I këtyre blerjeve faktori që fshihet pas vendimit të qeverisë për të ndryshuar mendje, duke përfshirë në regjimin e taksave edhe këto transaksione.
Jo më larg se fundi i korrikut, Qeveria vendosi të ulë pragun e taksimit për këto blerje nga 150 euro në 22 euro. Kjo do të thotë se për çdo blerje mbi 22 euro, konsumatori paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit. Të njëjtin fat do të pësojnë dhe dhuratat që qytetarët marrin nga jashtë. Çdo dhuratë me vlerë më të madhe se 45 euro do ta taksohet gjithashtu me 22.4%. Ministria e Financave argumentoi se ulja e pragut për blerjet online bëhet për të shmangur konkurrencën e pandershme ndaj subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.
Blerjet online ishin bërë mjaft të preferuara nga individët, veçanërisht pasi kufiri i pataksueshëm i blerjeve ishte rritur në 20 mijë lekë në vitin 2014.
Jo më larg se 7 maji i vitit 2014, Këshilli i Ministrave kishte vendosur rritjen e kufirit të shpenzimeve për blerjet online, nga 10.000 lekë në 20.000 lekë pikërisht për të nxitur këtë treg. Vendimi për uljen e pragut në 22 euro u prit me habi dhe me kritika nga komuniteti i biznesit si dhe konsumatorët e shumtë që i janë drejtuar së fundmi këtij tregu. Sipas ekspertëve, kjo masë pritet thjesht të tkurrë hovin e blerjeve online, pa prodhuar të ardhura të ndjeshme shtesë në arkën e shtetit.
shqiptarja.com/d.i.