Autorët e grabitjes së shumës prej rreth 200 mijë dollarësh në filialin e bankës tek Blloku kanë shfrytëzuar një ambient bodrumi, që nuk përdorej prej kohësh. Ambienti në fjalë, sipas administratorit të godinës, ishte përdorur 8-9 vite më parë si lokal nate e më pas ishte shitur.
Dëshmitarë të tjerë në zonë thanë për gazetën “Panorama” se bodrumi në fjalë deri tri vite më parë ka qenë kazino. Megjithatë, vitet e fundit bodrumi i shfrytëzuar nga autorët kishte mbetur i papërdorur nga pronari apo qiramarrësit, duke u lënë bosh prej më se tri vitesh. Dyshemeja ishte mbuluar nga pluhuri dhe së fundi, edhe nga inertet e krijuara nga çarja e dy faqeve të murit.
Njëri nga administratorët e godinës tha dje se bodrumi në fjalë 8-9 vite më parë quhej “pub” “Ekstazi”. Më pas, për shumë vite ka mbetur bosh, i pashfrytëzuar nga askush.
Rreth 3 apo 4 vite më parë u përdor për një kohë të shkurtër si kazino për t’u boshatisur sërish më vonë. Në fund, rreth tre muaj më parë, bodrumi në fjalë është dhënë me qira. Qiramarrësi madje ka paguar një shumë paradhënie dhe i ka deklaruar pronarit se do ta shfrytëzonte ambientin për magazinë. Bodrumi është një ambient rreth 70 apo 80 metra katrorë, thuajse bosh, ndërsa muret janë lyer me piktura të vjetra të dëmtuara nga lagështira dhe mungesa e kujdesit në 3-4 vitet e fundit.
Në një komunikim me gazetën, administratori i godinës theksoi se nuk i kujtohej emri i qiramarrësit të ambientit, ndërsa shtoi se këto kohë, gjatë paraditeve kur ka qenë në punë, ai nuk ka arritur të konstatonte zhurma apo punime në bodrum dhe as ka parë persona të dyshimtë.
Administratori thekson se ai dhe banorët e tjerë të zonës, nuk kanë pasur dijeni për çfarë po ndodhte, derisa dje në mëngjes kanë parë mjetet e policisë kanë mbërritur aty. Më pas, grupi i hetimit ka rrethuar zonën me shiritat “mos kalo” dhe ka nisur mbledhjen e provave.
A mund të na thoni kush e ka marrë me qira ambientin, që është përdorur nga autorët për të depërtuar deri te kasaforta e bankës?
Nuk e kujtoj tani emrin, më duket se quhej Fran, mbiemri nuk më kujtohet, por di që është një biznesmen i nderuar.
Pse e ka marrë më qira ambientin në fjalë, a e ka vënë në punë?
Akoma nuk e kishte vënë në punë. Me sa dijeni kam, do ta bënte magazinë.
Javën e fundit, apo këto 2-3 ditë, a keni dëgjuar zhurmë, a keni parë ndonjë person të dyshimtë të hynte apo të dilte te bodrumi?
Unë paraditeve qëndroj këtu se kam punën. Paradite ka zhurmë sepse ka lëvizje, por aty poshtë nuk kam dëgjuar dhe as kam parë gjë. As njerëz të panjohur apo të dyshimtë nuk kam parë.
PANORAMA/d.i.