Presidenti Bujar Nishani po zhvillon një takim konsultues me konstitucionaliste, eksperte ligjore dhe akademike.
Takimi që po mbahet në Presidencë ka nisur rreth orës 11:00, ku janë thirrur mbi 10 konstitucionaliste dhe eksperte ligjore për reformë në drejtësi.
Në fokus të konsultave është neni 149, pika d e Kushtetutës për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ku pritet të gjendet një zgjidhje pas ngërçit të për hedhjen e shortit për KED.
Institucioni i Presidentit ndodhet ne kushtet e një kontradikte kushtetetuese, që lidhet me konstituimin e Këshillit të Emerimëve në Drejtësi një institucion që ngrihet pas miratimit të amendamenteve kushtetuese.
Mungesa e ligjit të posaçëm, që është pjesë e paketës ligjore që ndodhet në kuvend dhe që përcakton kriteret për kandidim e detyron Presidentin Nishani të shprehë pamundesinë e hedhjes së shortit brenda 5 ditëve nga hyrja ne fuqi e Kushtetutës së re me 11 gusht për përzgjedhjen e Anëtarëve të Këshillit Emërimeve në Drejtësi.
Në përfundim të takimit, zyra e shtypit e Presidencës zbardhi takimin. Nishani ka ritheksuar qëndrimin e tij se, “çdo akt ligjor që del nga institucioni i Presidentit të Republikës bazohet mbi sjelljen institucionale, është i mirëargumentuar, i përgjegjshëm dhe në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani thirri sot në Institucionin e Kreut të Shtetit dhe zhvilloi një takim informues dhe konsultues me konstitucionalistë dhe ekspertë të njohur të jurisprudencës, për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime e pikëpamje mbi procesin ligjor të shqyrtimit dhe të përzgjedhjes me anë të shortit të kandidaturave për anëtarët e ardhshëm të Këshillit e Emërimeve të Drejtësisë.
Duke i falënderuar pjesëmarrësit për diskutimet e mendimet e vyera si dhe sugjerimet racionale dhe ndihmuese, Kreu i Shtetit ripërsëriti dhe theksoi qëndrimin e Tij se çdo akt ligjor që del nga Institucioni i Presidentit të Republikës bazohet mbi sjelljen institucionale, do të jetë i mirëargumentuar dhe i përgjegjshëm, në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.