Rajoni i Shkupit dje pasdite është përfshirë nga reshje të fuqishme dhe erëra të forta që për pasojë, kane shkaktuar përmbytje në disa zona të kryeqytetit maqedon.
Në pamjet e fundit që janë regjistruar në Shkup, shihen rrugët dhe lagjet e përmbytura me ujë, madje në disa zona uji ka arritur deri në 2 metra kështu duke fundosur plotësisht makinat e shumë qytetarëve dhe shtëpitë e tyre, raporton TetovaSot.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka konfirmuar, se si pasojë e përmbytjeve kanë humbur jetën 15 persona.
Alsat M raporton se viktimat janë nga Haraçina, Singeliqi dhe Stajkovci, që janë vendet më të goditura nga moti i keq, që ka mbretëruar mbrëmë.
Nga reshjet, janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, ndërsa shumë banorë kanë mbetur të bllokuar nëpër fshatra.
Ndërkaq një banor i Hasanbegut për portalin TetovaSot thotë se viktima mund të jenë më shumë pasi ka edne dhjetëra persona të zhdukur.
“Unë jam i Hasanbegit. Deri tasni zyrtarisht janë 30 persona të vdekur. Ka edhe familje komplet që janë mbytur. Ka edhe shumë të zhdukur. Për dëme materiale as që bëhet fjal me fol”, ka thënë ai.
Ekipet të shumta siç janë policia, ARM-ja, zjarrfiksat dhe shumë ekipet tjera kanë dalë në vendngjarje dhe po ndihmojnë qytetarët për t’u përballur me përmbytjet e stuhishme
(b.an)