Japonia shënon sot 71-vjetorin e bombardimit atomik amerikan të Hiroshimës, së bashku me thirrjen e kryebashkiakut për heqjen e armëve bërthamore si dhe thirrjen e liderëve botërorë për të vizituar më shumë vendin.
Rreth 50 000 njerëz morën pjesë në ceremoninë, në Parkun Përkujtimor të Paqes pranë Ground Zero, duke mbajtur një minutë heshtje në orën 08:15, në momentin e saktë kur 71 vite më parë një bombardues amerikan B-29 hodhi një bombë atomike në qytet, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore duke shkaktuar vdekjen e 140 000 personave.
“Sot, ne ripërtërijmë vendosmërinë tonë, shprehim ngushëllimet e përzemërta për shpirtrat e viktimave të bombës atomike dhe zotohemi të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë… për të eliminuar armët bërthamore dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në botë”, tha kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui.
Përfaqësues nga 91 vende, duke përfshirë fuqitë bërthamore të tilla si SHBA, Britania e Madhe, Rusia dhe Franca, morën pjesë në ceremoni.
Matsui iu adresua kryeministrit japonez, Shinzo Abe, i cili ishte në këtë ceremoni, duke thënë se “një botë pa armë bërthamore do të shfaqte pacifizmin fisnik të kushtetutës japoneze”.