Një grup kriminal prej shtatë personash, që kryente vjedhje me dhunë në zonën e Liqenit Artificial, është goditur nga Policia e kryeqytetit.
Shtatë persona kanë rënë në pranga pas aksionit të Policisë, i cili ka nisur për shkak të denoncimeve të marra nga qytetarë të ndryshëm. Ditën e sotme pritet që të dalin para gjykatës së kryeqytetit për caktimin e masës së sigurisë shtatë personat e arrestuar me akuzën e vjedhjeve në zonën e Liqenit Artificial.
Ata, sipas Prokurorisë, akuzohen për tri raste të vjedhjes me dhunë të qytetarëve, por janë duke u hetuar edhe për implikim të mundshëm në episode të tjera kriminale, pasi ka dyshime se aktiviteti i tyre vazhdon prej kohësh.
Për shkak të moshës së mitur, identiteti i shtatë të arrestuarve nuk është bërë me dije, por burimet nga hetimi kanë thënë se gjatë dy muajve të fundit ata kanë vjedhur me dhunë së paku në tri raste. Denoncimet janë bërë kryesisht nga çifte apo familjarë që frekuentojnë zonën e Liqenit Artificial gjatë pasditeve.
Sipas këtyre denoncimeve, grupi i të rinjve vepronte pas orës 19:00 deri në orët e vona të natës, duke shfrytëzuar errësirën. Ata u afroheshin çifteve me pretekste të ndryshme për t’i pyetur për rrugën apo për të kërkuar një çakmak me qëllim ndezjen e cigares.
Më pas të rinjtë u vinin thikën në trup vajzave apo grave dhe kërcënonin partnerët e tyre duke u marrë paratë, celularët dhe sendet e tjera të vlefshme, si orët, varëset dhe çdo gjë tjetër që kishin me vete. Sipas hetuesve, në tri rastet për të cilat akuzohen, të rinjtë kanë qenë të dhunshëm. Ata nuk vepronin të shtatë njëherësh, pasi ndaheshin tre e nga tre për secilin episod të grabitjeve. Grupi, sipas hetuesve, kishte edhe një “drejtues”.
Në vjedhjen e fundit që kanë kryer, fillimisht janë vënë në pranga tre personat që kanë marrë pjesë në krim dhe më pas nga të dhënat e marra prej të dyshuarve janë identifikuar edhe katër personat e tjerë që bënin pjesë në grupin e vjedhjeve.