Ekspertët në qarkun e Kukësit ngrenë alarmin se situata e sëmundjes së gjedhit po shkon drejt përkeqësimit, kryesisht në Kukës dhe Has, ku janë evidetuar 35 vatra të dermatozës nodulare dhe ku janë prekur 120 krerë ndërsa dhjetëra kanë ngordhur.
Ndërkohë nga Dibra është tentuar që në Kukës të sillen rreth 607 krerë bagëti me dy kamionë por që janë bllokuar nga postoblloqet policore të ngritura për ndalimin e transportimit të kafshëve. Kryeveterineri i drejtorisë se bujqësisë Osman Elezi, i shqetësuar thotë se nga sëmundja, rajoni veri-lindor rrezikon të mos ketë asnjë krerë gjedhi.
“Është një shtrirje e frikshme në të gjithë territorin e qarkut tonë. Nëse deri dje në mëngjes kemi pasur 31 vatra të prekura me 110 krerë brenda 24 orësh janë shtuar 4 vatra me rreth 120 krerë të prekur”, tha Osman Elezi, kryeveterineri i Drejtorisë se Bujqësisë Kukës, raporton express. Në Kukës është ndaluar tregtimi i mishit në gjitha dyqanet ndërsa thertoret janë krejt bosh. Për vaksinimin e 40 mijë krerë bagëtive aktualisht nevojiten 50 mijë doza vaksine.