Mund të thuash që jemi në të njëjtën fazë si para se të votohej reforma në drejtësi. Siç para votimit të saj kishte anatemime dhe “justifikime për çdo propozim vetëm për të mos pranuar reformën” (siç shprehej në një deklaratë të drejtpërdrejtë ndaj Bashës, ambasador amerikan Donald Lu), ka edhe sot. Veçse sot, në kushtet kur e kanë pranuar miratimin e reformës në drejtësi falë një presioni të pazakontë ndërkombëtar në nivelet më të larta, sulmet nga ata që nuk e deshtën dhe nuk e duan reformën janë edhe më banale, strategjia është tërësisht e njohur për ne.
Sepse, PD e vënë në vështirësi, mesa duket nuk po kapërdin dot “ushqimin” ndërkombëtar që pranoi në 22 korrik. Ose më saktë, duke parë lëvizjet e ndërkombëtarëve dhe vëmendjen maksimale të tyre në vazhdimin dhe zbatimin e reformës, janë siç kanë qenë ditën e parë kur është hapur proçesi i reformimit të sistemit të drejtësisë, janë të tmerruar nga drejtësia. Po po, të tmerruar.
Nisur nga kjo e vërtetë që e ka parë çdo shqiptar deri mesnatën e 21 korrikut dhe në të gdhirë të 22-shit, sot PD shihet që nuk ka ndryshuar aspak qëndrim, por ka ndryshuar strategji. Një strategji të cilën në fakt e ka përdoror Berisha për plot 25 vjet, e që sot PD e ka vënë në shërbim të “shembjes” së besueshmërisë ndaj reformës në drejtësi.
Duke parë akuzat e e përsëritura të ditës së sotme ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt, Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, të kujtohet automatikisht Berisha. I cili ndaj cilitdo kundërshtari (që e konsideron armik dhe jo kundërshtar, pra teori tërësisht diktarorësh) gjithë jetën e tij politike ka thënë të njëjtat fjalë. “Vrasës, kriminel, hajdur, trafikant, puçist…” janë fjalët kyçe të komunikimit të Berishës. Të njëjtat fjalë janë sot fjalët kyçe të PD që i përdor ndaj kujtdo që i del përpara dhe që e quan armik. Në rastin e vëllait të Xhafajt, ata në fakt nuk kanë asgjë me Xhafajn, sepse ky i fundit ka 25 vjet që është në politikë, nuk kanë asgjë as me vëllain e tij, sepse po të ishte kriminel do e kishte thënë e stërthënë policia, Interpoli dhe PD-ja bashkë.
Pra?
E kanë me reformën, për ta delegjitimuar. Që kur nesër të thuhet “Reforma në drejtësi ishte historike për kthesën e vendit…. ku një rol kyç luajti Kryetar i Komisionit të Posaçëm për reformën që ishte zoti Fatmir Xhafaj“, në këtë moment, PD të dalë dhë të thotë “Reforma nuk quhet, sepse Xhafaj ka një vlla që ne ikemi thënë narkotrafikant”.
Aq e ulët dhe banale është kjo strategji, saqë PD pa e kuptuar (disa deputëteë të PD e kanë kuptuar dhe janë distancuar) po hyn në një qorrsokak nga ku s’dihet a do dalë dot më. Sepse përpos faktit që nuk po japin dot alternativën e tyre qeverisëse dhe opsion për shqiptarët propozojnë vetëm “koalicion të mundshëm me LSI”, po groposen çdo ditë e më shumë si anti euro-amerikanë dhe anti shtet.
Kjo politikë e PD do të vazhdojë për sa kohë nuk do të kuptojnë se janë në një rrugë vetëshkatërruese. Dhe nuk do të vonojë dita kur siç bënë me ambasadoren Romana Vlahutin duke thënë që s’ka deklaruar të ardhurat, (e cila për një ndryshim procedurial i duhej të plotësonte edhe disa dokumenta të tjera mbi të ardhurat) të vazhdojnë me ambasadorin Donald LU dhe të gjithë ata ndërkombëtarë e vendas që janë pro zbatimit të reformës së votuar. Sepse në fakt PD siç e thamë nuk ka asgjë personale me individë të veçantë, por ka një barrë që s’ja mbajnë dot këmbët që quhet drejtësi.
Ndaj, të gjithë ata që duan zbatimin sa më të shpejtë të reformës, janë armiqtë e PD, e cila me gjuhën e Berishës nuk do ju lërë minj shtëpie pa sharë, anatemuar e baltosur. Një gozhdë e ndryshkur, e pafuqishme për të shpuar reformën në drejtësi, por që po bën çmos të infektojë.
Lexo.al/d.i.