Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, z. Vangjush Dako ka mbërritur në lagjen 15 të Spitallës, ku është pritur nga një numër i madh banorësh të zonës. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, si dhe ai i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi. Në fjalën e tij para banorëve Dako tha se të gjithë jemi dëshmitarë të asaj çka kemi bërë në këta 8 vjet, por në këtë zonë, ne jemi të ndërgjegjshëm se ka ende nevojë për më tepër investime në drejtim të përmirësimit të rrugëve të brendshme të lagjes 15 dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve.
Dako është shprehur se në mandatin që nisim pas 21 qershorit, ne vëmë në zbatim projektin tonë për zhvillimin ekonomik të gjithë bashkisë së re të Durrësit, e cila 10-fishohet përsa i përket sipërfaqes. “Në mandatin e ri do të vëmë në zbatim projektet tona për zhvillimin ekonomik me qëllim që të ulim varfërinë dhe papunësinë,” – është shprehur Dako, duke theksuar se “ne e mbështesim zhvillimin ekonomik tek toka bujqësore, toka industriale dhe deti, si tre shtylla të rëndësishme që gjenerojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e të ardhurave për banorët e Durrësit”.
Kandidati socialist ka shtuar gjithashtu, se Zona e Lirë Ekonomike që do të krijohet pikërisht në territorin e Spitallës, pranë kampusit universitar, do të mundësojë hapjen e shumë vendeve të reja të punës, jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë vendin. Zona e Lirë Ekonomike, për shkak të pozicionit të saj gjeografik (afër aeroportit të Rinasit, Tiranës dhe Durrësit), pritet të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të qytetit bregdetar dhe më gjerë.