Një ditë pas debatit maratonik në Kuvend, Qeveria ia ka proceduar institucionit ligjvënës Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.
Qeveria pretendon se me gjithë prezantimin e fakteve në tryezën e së mërkurës versioni që ka dhënë Komisioni shtetëror është i rregullt, duke kërkuar prej deputetëve që t’ia japin fuqinë e marrëveshjes ndërkombëtare, shkruan Koha Ditore.
Por opozita qysh të enjten ka nisur me protesta, duke thënë se ato do t’i intensifikojë kur marrëveshja t’u vijë për votim deputetëve. “Vetëvendosje” dhe AAK-ja kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës, nëse demarkacioni miratohet sipas versionit aktual.
Qeveria ka miratuar në mënyrë unanime Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Projektligji do të shkojë me procedura të rregullta, edhe pse pati një tentativë të Qeverisë të nxitojë me këtë proces.
Pak orë para fundit të debatit, Qeveria kishte ftuar mbledhje në të cilën do ta miratonte marrëveshjen. Por në çastet e fundit, votimi u shty për të enjten. Megjithëse nuk është caktuar ndonjë datë, gazeta merr vesh se Kryesia do ta fusë javën e ardhshme në rend dite çështjen e demarkacionit. (b.an)