Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu mbështet deklaratat e kryetarit të PD-së Lulzim Basha për qeveri teknike, duke theksuar se vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Mediu tha se “duke parë realitetin, që Shqipëria është në një krizë ekonomike, në një mosfunksionim institucional ku zotëron paraja e pistë ose krimi, mbushja e Shqipërisë me kanabis, e bëjnë akoma më të frikshme se nuk do të jenë qytetarët që do të vendosin, por kjo pjesë informale, tërësisht e lidhur me krimin e organizuar, që do ta çonte në një krizë Shqipërinë”.
“Qeveria teknike qëndrim i të gjithë opozitës. Kjo qeveri nga pikëpamja formale kur janë organizuar zgjedhjet ka manipuluar me strukturat e shtetit dhe elementë kriminalë që janë përshirë në fushatë në mënyrë të dukshme. Detyra e parë e politikës është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mendoj që janë qytetarët që duhet të vendosim me votë. Jo vetëm LSI, por kontributi i PS është i domosdoshëm, për implementimin e kësaj reforme. Qeveria teknike i garanton zgjedhjet e lira dhe të ndershme”- deklaroi Mediu.
Kryetari i Partisë Republikane e cilëson të drejtë shqetësimin që u ngrit nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, për ligjin për KED.
“Nuk besoj se do të ketë debate të shumta për këtë çështje, komisioni i posaçëm dhe ekspertët të ulen sa më shpejt, në mënyrë që ta miratojmë këtë ligj brenda afateve”- u shpreh Mediu.
BW/d.i.